Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi të hënën se çdo sulm i Shteteve të Bashkuara ndaj një aleati të NATO-s do të shënonte fundin e aleancës ushtarake dhe të sigurisë post-Luftës së Dytë Botërore, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë në kontroll Grenlandën.
Presidenti amerikan, i sapondalur nga operacioni ushtarak në Venezuelë, tha të dielën se SHBA ka nevojë “shumë të madhe” për Grenlandën – duke rritur frikën për një pushtim të mundshëm të ish-kolonisë daneze, e cila mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Politikën e jashtme dhe të sigurisë e kontrollon ende Kopenhaga.
Frederiksen deklaroi për televizionin danez TV2, “nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të sulmojnë ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, gjithçka do të ndalet – përfshirë NATO-n dhe sigurinë pas Luftës së Dytë Botërore.”
Pozicioni strategjik i Grenlandës mes Evropës dhe Amerikës së Veriut e bën ishullin një pikë kyçe për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat balistike, ndërsa burimet minerale të shumta i përputhen edhe ambicies së SHBA për të zvogëluar varësinë nga eksportet kineze.
Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i bëri thirrje Trump të heqë dorë nga “fantazitë e aneksimit” dhe e kritikoi retorikën amerikane si “krejtësisht të papranueshme”, duke deklaruar: “Mjaft është mjaft. Jo më presion. Jo më insinuata. Jo më fantazi për aneksim.”
Në një konferencë shtypi në kryeqytetin Nuuk, Nielsen përpiqej të qetësonte frikën për një pushtim të menjëhershëm nga SHBA.
“Nuk jemi në një situatë ku mendojmë se një marrje e vendit mund të ndodhë brenda natës. Nuk mund të krahasohet Grenlanda me Venezuelën. Ne jemi një vend demokratik,” tha ai.
Frederiksen theksoi se qeveria e saj po bën gjithçka për të parandaluar një sulm amerikan dhe e akuzoi SHBA-në për “presion të papranueshëm”, duke e quajtur këtë një “sulm të pajustifikueshëm ndaj komunitetit ndërkombëtar”.
“Ju nuk mund të hyni dhe të merrni pjesë të territorit të një vendi tjetër,” tha ajo për transmetuesin danez DR, duke shtuar: “Nëse SHBA vendos të sulmojë një vend tjetër të NATO-s, gjithçka do të ndalet. Kam qenë shumë e qartë ndaj Trump, publikisht dhe privat, dhe Grenlanda ka thënë vazhdimisht se nuk dëshiron të bëhet pjesë e SHBA-së.”
Frederiksen dhe Nielsen morën mbështetje edhe nga Bashkimi Europian, i cili deklaroi të hënën se nuk do të ndalojë mbrojtjen e integritetit territorial, veçanërisht kur bëhet fjalë për një vend anëtar të BE-së.
Megjithatë, presioni mbi Frederiksen po rritet, ndërsa ajo përballet me zgjedhje të përgjithshme këtë vit, për të dhënë plane më konkrete se si do të veprojë Danimarka në rast të një pushtimi të mundshëm.
Aaja Chemnitz, përfaqësuese grenlandeze në parlamentin danez dhe anëtare e partisë Inuit Ataqatigiit, tha se edhe pse nuk beson në një pushtim të menjëhershëm, grenlandezët duhet “të përgatiten për të keqen”.
“Duhet të shpresojmë për më të mirën dhe të përgatitemi për më të keqen. Kjo është situata jonë aktuale,” tha Chemnitz, duke e cilësuar deklaratën e fundit të Trump si “kërcënimin më të madh dhe më serioz ndaj Grenlandës” dhe si shenjë të një “rendit të ri botëror”.
Ajo shtoi se e ardhmja e Grenlandës varet plotësisht nga populli i saj, “e kuptoj që ai [Trump] mund të jetë i interesuar të marrë Grenlandën, por Grenlanda nuk dëshiron të bëhet pjesë e SHBA-së.”/TheGuardian