Sunny Hill Festival, “diplomacia” e re që po ndryshon imazhin e Kosovës në botë

Më shumë se 25 vjet pas luftës, festivali Sunny Hill po kontribuon në ndryshimin e mënyrës se si Kosova perceptohet në botë, duke e promovuar atë si një vend të sigurt, të gjallë dhe kreativ në Evropë.

Festivali, i cili këtë vit do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në Prishtinë, ka arritur të sjellë në Kosovë disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore, duke tërhequr njëkohësisht edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Kur BBC dërgoi një ekip në Sunny Hill, fokusi i reportazhit nuk ishte vetëm muzika, por edhe mënyra se si festivali po ndikon në imazhin e Kosovës në botë. Më shumë se 25 vjet pas luftës, Sunny Hill është shndërruar në një prej mjeteve më të rëndësishme të fuqisë së butë të Kosovës.

Artistë që më parë nuk kishin performuar në Kosovë, tashmë janë pjesë e skenës kryesore të festivalit. Në edicionin e vitit 2026, kryesuesja e festivalit do të jetë Katy Perry, pas emrave të njohur që kanë performuar në vitet e fundit, si Dua Lipa, Calvin Harris, Miley Cyrus, J Balvin dhe Shawn Mendes.

Prania e këtyre artistëve ka sjellë me vete edhe vëmendjen e mediave më të mëdha ndërkombëtare, përfshirë BBC, The New York Times, The Guardian, Vogue dhe Rolling Stone. Kjo ekspozim mediatik ka ndihmuar në promovimin e një imazhi të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Disa prej momenteve më simbolike kanë ndodhur pikërisht në kuadër të festivalit. Në vitin 2025, këngëtarja me origjinë kosovare Dua Lipa mori shtetësinë e Kosovës në hapësirat e festivalit, në një ceremoni ku ishte e pranishme edhe presidentja Vjosa Osmani. Dua Lipa ishte shpallur Ambasadore Nderi e Kosovës në vitin 2022.

Për një shtet të ri si Kosova, i cili ende përballet me sfida në njohjen dhe promovimin e tij ndërkombëtar, Sunny Hill është shndërruar në një platformë të rëndësishme të diplomacisë kulturore.

Sipas organizatorëve, ekspozimi ndërkombëtar që festivali gjeneron çdo vit ka një vlerë të konsiderueshme mediatike dhe promovuese, duke arritur në qindra miliona euro. Kjo është një nivel vëmendjeje që një fushatë tradicionale turistike do ta kishte shumë të vështirë ta siguronte.

“Për një kohë të gjatë, bota njihte vetëm një histori për Kosovën. Sunny Hill na mundëson të tregojmë një histori tjetër – atë të një vendi të ri, kreativ dhe të hapur, të cilin artistët më të mëdhenj në botë janë krenarë ta vizitojnë. Ky ndryshim në perceptim për ne vlen më shumë se çdo shifër e vetme”, ka thënë bashkëthemeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa.

Edicioni i vitit 2026 i Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në Prishtinë, ndërsa biletat për hyrje të përgjithshme dhe pakot VIP janë në shitje.

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika