Gjykata Supreme e Kosovës ka shprehur shqetësim të madh lidhur me deklaratat e fundit të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili gjatë mbledhjes së KQZ-së më 1 shtator 2025 përdori gjuhë të papranueshme ndaj kësaj gjykate dhe gjyqtarit Zenel Leku.
Në reagimin e saj, Gjykata Supreme thekson se një gjuhë e tillë e paprecedent është e dënueshme dhe përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Sipas saj, përdorimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është një tentativë e ulët për të dëmtuar figurën e tij dhe për të minuar besimin e publikut në drejtësi.
“Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për të denigruar figurat e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, sidomos në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregojnë mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, e jo për ata që përpiqen t’i delegjitimojnë ato me akuza pa fakte”, thuhet në reagim.
Gjykata Supreme nënvizon se në një shtet demokratik është gjyqësori ai që garanton barazinë dhe drejtësinë zgjedhore, ndërsa sulmet dhe përpjekjet për të diskredituar një gjyqtar të instancës më të lartë gjyqësore janë të papranueshme dhe të dëmshme, jo vetëm për gjykatën dhe gjyqtarin, por për të gjithë shoqërinë.
Në fund, Gjykata Supreme thekson se të gjitha vendimet e saj bazohen në Kushtetutë dhe ligj dhe asnjëherë nuk do të vihen në shërbim të interesave apo politikave ditore.