Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar lidhur me zbatimin e aktgjykimit P.A.nr.16/2025, me të cilin shpalli të paligjshëm obligimin e pensionistëve për t’u paraqitur në Departamentin e Pensioneve çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë.
Në një komunikatë për media, Supremja ka theksuar se ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore.
“Gjykata Supreme e Kosovës njofton opinionin publik se, në lidhje me aktgjykimin P.A.nr.16/2025, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore. Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve. Pas nxjerrjes së aktgjykimit vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë kështu efekt të plotë juridik”, thuhet në njoftim.
Gjykata Supreme thekson se përgjegjësia për zbatimin e vendimit bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat, dhe se nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar zbatimin e vendimeve nga institucionet e tjera.
Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit.
Si pasojë e këtij vendimi, pensionistët nuk e kanë më obligim të paraqiten çdo gjashtë muaj për të dëshmuar gjallërinë e tyre për vazhdimin e pensionit.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) njoftoi se disa kategori pensionistësh nuk kanë më nevojë të paraqiten rregullisht në zyrat e pensioneve. Këto përfshijnë: përfituesit e pensioneve kontributive, parciale kontributive dhe familjare.
Sidoqoftë, pensionistët e kategorive të tjera vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi.
MFPT po ndërmerr masa për t’i lehtësuar pensionistët, duke përfshirë: Ekipet mobile që ofrojnë shërbime në shtëpi për ata që nuk mund të paraqiten fizikisht, në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës; Thjeshtësimin e procedurave për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke eliminuar proceset e panevojshme dhe të lodhshme të rivlerësimit.
MFPT siguron se shërbimet për pensionistët do të jenë më të thjeshta dhe më të shpejta, duke ruajtur integritetin dhe qëndrueshmërinë e skemave pensionale.
v
