Katër persona janë arrestuar në një aksion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Divizionit për të Huaj, një zyrtar i Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas i huaj.
Sipas tij, ekziston dyshimi se të arrestuarit, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare dhe ndërmjetësuese, kanë kryer shërbime për palët duke anashkaluar procedurat ligjore, me qëllim të përfitimit financiar.
“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtarëve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar ndaj integritetit institucional, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik.
“Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë”, ka thënë Sveçla.
Ministri ka shtuar se luftimi i korrupsionit është parakusht për garantimin e shërbimeve të drejta dhe transparente për qytetarët.
“Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, ka përfunduar Sveçla.
