Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme, ka akuzuar Serbinë për veprime të rënda destabilizuese dhe shkelje të integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, incidenti i fundit ka ndodhur në zonën -0- të kufirit mes dy vendeve, një zonë me prani të shtuar të forcave të KFOR-it, ku xhandarmëria serbe ka plagosur, tentuar ta vrasë dhe më pas rrëmbyer një qytetar të Kosovës me inicialet M.V.
“Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cënuar hapur integritetin tonë territorial”, ka shkruar Sveçla, duke e cilësuar këtë si një akt të përsëritur e të pandëshkuar.
Ai kujtoi edhe rastet e mëparshme, përfshirë rrëmbimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe sulmin terrorist në Banjskë, si dëshmi të vazhdimësisë së politikave agresive të Beogradit.
“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, theksoi ai, duke kërkuar reagim të qartë dhe ndëshkues nga faktori ndërkombëtar.
Sipas Sveçlës, Serbia po vazhdon politikën e terrorit dhe përndjekjes ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Aleksandër Vuçiqit, ndërsa heshtja ndërkombëtare ndaj këtyre veprimeve po inkurajon përsëritjen e tyre.