Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Secili deputet e ka përgjegjësi kushtetuese të jetë në seancën e Kuvendit dhe t’i japë drejtim formimit të organeve të Kuvendit të Kosovës, si kryesia dhe kryetari. Këtu nuk jemi duke bllokuar nga partitë e tjera, por jemi të bllokuar nga partia e parë.
Duke qenë se është në të drejtën e saj për të bërë propozime dhe duke pasur parasysh që nuk ka shumicë parlamentare këta kanë vendosur ta bllokojnë situatën. Asnjë parti nuk mund ta bllokojë, përpos partisë së parë. Ata janë që e kanë bllokuar dhe atyre iu takon të marrin veprime. Ne kemi hapur rrugë tashmë disa herë që janë disa kandidatë që mund të votohen nga PDK. Në këtë rast Kurti ka vendosur ta bllokojë këtë situatë. Humbësi i këtyre zgjedhjeve është VV-ja, sepse shihet që tashmë këta nuk kanë partner të qeverisin dhe duke parë matjet e opinionit publik janë partia që ka rënien më të madhe. Nuk janë njerëz që të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve ” , tha Tahiri.