Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka konfirmuar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara do të procedohet në Qeveri.
Tahiri ka thënë se tashmë kërkesa dhe presioni duhet të drejtohen te Qeveria për procedimin e ligjit.
“…Nisma ligjore, të cilën ne tashmë veç e kemi bërë, kemi dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, dhe prej Kuvendit të Kosovës nisma ka shkuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Andej, tash, presioni e kërkesa e të gjithëve duhet të jetë te Qeveria e Republikës së Kosovës. Unë këtë kërkesë dhe këtë presion e bëj edhe sot, në mbledhjen e Kryesisë. Kryetarja Haxhiu u zotua që personalisht do të angazhohet të diskutoj me kryeministrin Albin Kurti që kjo të bëhet”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka thënë se qytetarët kanë të drejtë t’u kërkojnë Kuvendit dhe Qeverisë veprime institucionale, ndërsa ka kërkuar që institucionet të unifikohen për t’iu përgjigjur, siç e ka cilësuar ai, padrejtësisë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
“Qytetarët me plot të drejtë kanë kërkesë të drejtuar nga Kuvendi dhe nga Qeveria. Veproni, koordinonu, organizonu, unifikohuni, dhe ky lloj padrejtësie historike ndaj kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës përgjigjuni në mënyrë institucionale përmes mjeteve dhe formave të duhura. Andaj, e isha këtu që të alarmoj situatën, ta kthej fokusin tek situata emergjente, tek kjo padrejtësi, dhe me shumë korrektësi, me shumë respekt, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Kryesisë së Kuvendit, i kërkova që fillimisht edhe pse shumë e vonuar, Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ketë një deklaratë të përbashkët dhe u dakorduan që ta kemi një deklaratë të përbashkët në seancën që do të bëhet ditën e hënë”, ka shtuar Tahiri.