Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka përmendur tri çështje të cilat, sipas tij, kërkojnë reagim të shpejtë të Qeverisë.
Ai, gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ka folur për Ligjin e Pagave, për të cilin sipas Tahirit, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, po hesht në mënyrë klasike, duke mos dhënë shpjegime.
“Ligji i Pagave tash e tri herë që është në agjendën legjislative, nuk vjen në Kuvend, nesër ka paralajmërim për protestë, dhe është një heshtje klasike, nuk ka asnjë veprim, asnjë shpjegim, asnjë dritë në fund të tunelit se kur do të vijë ky ligj”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës tash e një vit vazhdon të prodhojë kriza si në nivelin politik ashtu edhe në atë ekonomik, dhe vazhdon të krijojë krizë të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe t’i varfërojë ata.

Sipas tij, veprimi i fundit në Kuvend ka treguar se Qeveria nuk synon ta ngritë pagën minimale, por ta zvarrit këtë proces dhe ta lë sektorin privat pa i marrë 100 eurot e tyre nga vendimi i fundit i qeverisë.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe tërheqjen e mjeteve monetare të qytetarëve nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trust).
“Është me rëndësi që sa më shpejt ligji për Trustin të vijë në Kuvend”, ka thënë ai.
Ndërkaq, lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, Tahiri ka theksuar se i njëjti vërteton se “kauza jonë, kërkesa jonë për të mos ngritur tarifat, kërkesa jonë ndaj ZRRE-së, që të mos veprojë me ngritje të rrymës vërtetoi që është e saktë dhe e drejtë”.
“Kemi një dëm të madh, kemi ndarë 100 milionë euro nga buxheti i Kosovës që ka mundur të shkojë në investime kapitale përderisa i kemi vendosur qytetarët që të paguajnë tarifa dhe çmime të rrymës për të cilat do të duhet t’u kthehen qytetarëve”, ka shtuar ai.
Po ashtu, ai ka kërkuar përgjigje nga qeveria se cili do të jetë veprimi i kthimit të parave dhe cila do të jetë tarifa ligjore kushtetuese që do të vijë pastaj.