Zyrtarë dhe ligjvënës amerikanë po shprehin shqetësim lidhur me një takim të zhvilluar muajin e kaluar në Miami, ku përfaqësues të administratës së Donald Trump u takuan me Kirill Dmitriev, një i dërguar rus që ndodhet nën sanksione të SHBA-së, për të hartuar një plan të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas disa burimeve të njohura me çështjen.
Takimi është mbajtur në fund të tetorit dhe ka përfshirë emisarin special Steve Witkoff, dhëndrin e Trumpit Jared Kushner dhe Dmitriev, kreun e Fondit Rus të Investimeve Direkte (RDIF), një nga fondet më të mëdha sovrane të Rusisë.
Dmitriev, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka marrë rol kryesor në kontaktet me SHBA-në për luftën dhe është takuar disa herë këtë vit me Witkoff. Një zyrtar i lartë amerikan i tha Reuters se administrata e Trumpit i ka lëshuar atij një leje të veçantë për hyrje në vend, pavarësisht sanksioneve.
Në vitin 2022, pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës, SHBA e ka futur Dmitriev dhe fondin e tij në listën e zezë, duke ndaluar çdo bashkëpunim të qytetarëve dhe kompanive amerikane me ta.
Takimi në Miami ka prodhuar një plan 28-pikësh për përfundimin e luftës, thanë dy burime të tjera. Plani, i publikuar këtë javë nga Axios, ka befasuar shumë zyrtarë në administratë dhe ka krijuar konfuzion në ambasadat në Washington dhe kryeqytetet evropiane.
Plani është kritikuar nga Ukraina dhe aleatët e saj, pasi shihet si i favorshëm për Rusinë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky premtoi të premten se nuk do të tradhtojë interesat e vendit të tij.
Dokumenti parashikon lëshime të mëdha nga pala ukrainase dhe duket në kundërshtim me qëndrimin më të ashpër që administrata Trump ka mbajtur kohët e fundit ndaj Moskës, përfshirë sanksionet ndaj sektorit të saj energjetik.
Nuk është e qartë nëse Dmitriev ka ardhur në takim me kërkesa të gatshme nga Moska dhe nëse ato janë futur në plan.
Dy burime thanë se Rustem Umerov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, ka qenë gjithashtu në Miami në fillim të kësaj jave për të diskutuar planin me Witkoff. Një burim tjetër tha se Witkoff ia ka treguar planin Umerovit gjatë vizitës, dhe se SHBA-ja ia ka dorëzuar planin Ukrainës përmes qeverisë turke të mërkurën, përpara se ta paraqiste drejtpërdrejt në Kiev të enjten.
Umerov ka thënë se roli i tij ka qenë vetëm “teknik” dhe ka mohuar se ka diskutuar përmbajtjen e planit me zyrtarët amerikanë.
Dmitriev dhe ambasada ukrainase në Washington nuk kanë kthyer përgjigje.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se çdo plan paqeje “duhet të ofrojë garanci sigurie dhe parandalimi për Ukrainën, Evropën dhe Rusinë” dhe të përfshijë stimuj ekonomikë për të dyja palët.
Sipas saj, plani është hartuar për të reflektuar “realitetet në terren” dhe për të gjetur një zgjidhje “win-win”.
Trump deklaroi të premten se pret që Zelensky ta nënshkruajë planin deri në Ditën e Falënderimeve. SHBA-ja ka paralajmëruar Ukrainën se mund të kufizojë ndihmën ushtarake nëse nuk e pranon atë, raportoi Reuters.
Situata ka ngritur shqetësime brenda administratës dhe në Kongres se Witkoff dhe Kushner kanë anashkaluar procesin zyrtar ndër-institucional dhe se bisedimet me Dmitriev kanë prodhuar një propozim që anon nga interesat ruse.
Plani përfshin kërkesa që Rusia i ka shtruar prej kohësh – që Ukraina të lëshojë territor në lindje, të njohë Krimenë si pjesë të Rusisë dhe të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO./Reuters