Të paktën 34 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet izraelite përgjatë Rripit të Gazës, kanë njoftuar zyrtarët shëndetësorë, ka shkruar The Guardian.
Sulmet filluan në orët e vona të së premtes dhe vazhduan deri në orët e hershme të së shtunës, duke vrarë ndër të tjera 12 persona në Stadiumin e Palestinës në qytetin e Gazës, i cili ishte duke strehuar disa persona të zhvendosur, dhe 8 të tjerë që jetonin nëpër apartamente, bazuar në deklarimet e stafit mjekësor të spitalit Shifa, ku edhe ishin sjellë trupat.
Gjashtë të tjerë u vranë në Gazën jugore kur një sulm izraelit goditi çadrën e tyre në Muwasi.
Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se pret që armëpushimi në enklavën palestineze të arrihet “brenda javës së ardhshme”.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të premten, ai e ka cilësuar të tmerrshme situatën në Gazë, por është shprehur optimist se së shpejti do të ketë armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
“Mendoj se është afër. Sapo fola me njerëzit e përfshirë”, ka thënë presidenti amerikan. “Mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë armëpushimin”.
Lufta në Gazë nisi kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin në tetor të 2023-tës, duke vrarë rreth 1200 persona e duke marrë një numër të konsiderueshëm pengjesh. Izraeli nisi menjëherë fushatën ushtarake dhe deri më tani, sipas të dhënave të zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, nga sulmet në Gazë janë vrarë mbi 56 mijë persona.