Profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, ka kritikuar ashpër politikanët për mungesë përgjegjësie, indiferencë dhe pasiguri për qytetarët, duke thënë se shumë kosovarë emigrojnë për shkak të kushteve të vështira dhe mungesës së mbështetjes nga shteti.
Në emisionin FIVE, Misini theksoi se “ne kemi një diasporë të jashtëzakonshme, të cilët edhe gjatë rrugës kur vijnë në Kosovë me vuajtje e sakrificë, në fund aksident bëjnë në territor të Kosovës, sepse ka mungesë të sinjaleve. Krejt përgjegjësia i takon këtyre liderëve politikë. Janë të papërgjegjshëm, pa ndërgjegje, pa emocione”.
Ai ka shtuar se politikanët vetë nuk janë prekur nga problemet që përjetojnë qytetarët.
“A ka shkuar dikush ka emigruar në 10-20 vitet e fundit ndonjë fëmijë i politikanit? Jo. Krejt kanë shkuar njerëzit që kanë nevojë dhe kanë luftuar për ekzistencë”.
Misni ka theksuar se largimi i qytetarëve lidhet me pasigurinë juridike, ekonomike dhe mungesën e sigurimeve shëndetësore.
“Për një ndërhyrje duhet të presësh me vite të tëra, dinjitetin njerëzor e kemi zero. Veturat kanë sigurim, kafshët kanë sigurim, njerëzit nuk kanë. Kjo është bërë nga politikanët. Pse politikanët, nëse sëmuren, deputetët e bëjnë operimin nëpër vende të ndryshme të Perëndimit, ndërsa unë si qytetar nuk kam as sigurim dhe duhet me gjet njohur për të bërë një operim”.