Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre burra në fshatin Gjinoc të Suharekës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, të njëjtit janë arrestuar të shtunën nën dyshimin për posedim dhe përdorim të paautorizuar të armës si dhe për sulm dhe se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet të dyshuarve, në momentin kur njëri prej tyre po kalonte me traktor të ngarkuar me dru për djegie nëpër pronën e një të dyshuari tjetër.
Pas përshkallëzimit të konfliktit, i dyshuari që drejtonte traktorin dyshohet se ka marrë armën e njërit prej të dyshuarve dhe ka shtënë me të në afërsi të të dyshuarit të tretë.
Me vendim të prokurorit të rastit, tre të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
“Gjinoc, Suharekë / 24.01.2026-14:30. Janë arrestuar tre të dyshuar m/k nën dyshimin se të njëjtit pas një mosmarrëveshje në mes veti, derisa njëri prej tyre ishe duke kaluar me traktor të ngarkuar me dru për djegie nëpër pronën e të dyshuarit tjetër, i dyshuari-drejtuesi i traktorit ka marrë armën e të dyshuarit tjetër dhe ka shtënë me të afër të dyshuarit të tretë. Njësitet policore te njëri nga të dyshuarit në shtëpi ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, tre fishekë dhe një gëzhojë, e cila dyshohet se është përdorur. Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.