Më shumë se 1,000 ndërtesa banimi në kryeqytetin ukrainas, Kiev, vazhdojnë të jenë pa ngrohje pas një sulmi shkatërrues rus të kryer në fillim të kësaj jave, kanë bërë të ditur autoritetet lokale të dielën.
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës që nga nisja e pushtimit në vitin 2022, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se gjatë javës së fundit Rusia ka lëshuar rreth 1,100 dronë, mbi 890 bomba ajrore të drejtuara dhe më shumë se 50 raketa, përfshirë raketa balistike, lundruese dhe me rreze të mesme veprimi, kundër Ukrainës.
Të premten, një sulm me raketa ndaj Kievit la pothuajse të gjithë qytetin pa energji elektrike dhe pa ngrohje, në mes të një vale të fortë të ftohti. Vetëm të dielën autoritetet arritën të rikthenin furnizimin me ujë dhe pjesërisht energjinë elektrike dhe ngrohjen.
Zelensky akuzoi Rusinë se ka pritur me qëllim ardhjen e temperaturave nën zero për ta përkeqësuar situatën për popullin ukrainas, duke e quajtur këtë veprim “terror cinik rus të drejtuar posaçërisht kundër civilëve”. Moska nuk reagoi menjëherë ndaj këtyre akuzave.
Dimri i katërt i luftës pritet të jetë më i ftohti dhe më i errëti deri më tani, ndërsa dëmet e grumbulluara në rrjetin energjetik po i çojnë shërbimet publike në kufijtë e kapaciteteve. Temperaturat, të cilat tashmë kanë zbritur nën -12 gradë Celsius, pritet të bien deri në -20 gradë më vonë gjatë kësaj jave.
“Punimet për rikthimin e shërbimeve po vazhdojnë, megjithatë situata e furnizimit me energji në kryeqytet mbetet shumë e vështirë,” shkroi kryetari i bashkisë së Kievit, Vitalii Klitschko, në Telegram.
“Sipas parashikimeve, ngricat e forta nuk pritet të zbuten në ditët në vijim. Për rrjedhojë, situata e vështirë në kryeqytet do të vazhdojë,” shtoi ai.