Tenderi dështoi dy herë, Furnizuesi i Mundësisë së Fundit sërish do të caktohet me vendim

Derisa pas tre javësh skadon obligimi i KEK-ut si Furnizues i Mundësisë së Fundit, tenderi i dytë i ZRRE-së për zgjedhjen e kompanisë për shërbim dështoi në fund të Dhjetorit. Kësisoj, Rregullatori duhet që para fundit të muajit, me vendim, të caktojë Furnizuesin e Mundësisë së fundit për tre vjetët e ardhshëm. Kompania që caktohet do të ketë obligim furnizimin – deri në 60 ditë – të konsumatorëve që mbesin pa furnizues

Për herë të tretë që nga viti 2018, Zyra Rregullatorit për Energji do të caktojë Furnizuesin e Mundësisë së Fundit me vendim, pa tender.

Kjo pasi për herë të dytë dështoi tenderi për zgjedhjen e ofruesit të këtij shërbimi tranzitor, për konsumatorët që mbesin pa furnizues me energji elektrike.

Procesin e prokurimit, të cilin e hapi në Nëntor, ZRRE-ja e shpalli i dështuar në fund të Dhjetorit, në mungesë të interesimit nga kompanitë furnizuese.

“Ftesës për shprehje të interesit për të aplikuar në Tenderin për Zgjedhje të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit NUK i është përgjigjur asnjë i licencuar për furnizim me energji elektrike në Kosovë”, thuhet nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Vendimi u arsyetua me mungesën e konkurrencës, referuar nenit 4 të Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit apo FMF-në që parasheh që në garë të jenë së paku dy kompani që përmbushin kriteret e pranueshmërisë.

Në rrethana të tilla, pas dështimit të tenderit dy herë, Ligji për Energjinë Elektrike e obligon Rregullatorin që me “akt të veçantë” të caktojë FMF-në.

Pas dështimit të tenderit të parë të shpallur pranverën e vitit të kaluar, ZRRE-ja vendosi që për gjashtë muaj – nga 31 Korriku 2025 deri më 30 Janar 2026 – këtë obligim t’ia vendosë Korporatës Energjetike Kosovës.

Marrë parasysh që KEK-u ka vetëm edhe tre javë si Furnizues i Mundësisë së Fundit, Rregullatori duhet të marrë vendim të ri para fundit të muajit për caktimin e kompanisë që do të kryejë këtë shërbim për tre vjetët e ardhshëm.

Në kuadër të drejtës ligjore për furnizim të garantuar me rrymë, konsumatorëve që mbesin pa furnizues u mundësohet një zgjidhje e përkohshme kalimtare nga FMF-ja deri në lidhjen një kontrate me furnizues tjetër – por jo më shumë se 60 ditë – sikur ishte rasti me bizneset që u nxorën në tregun e hapur.

Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, Furnizuesi i Mundësisë së Fundit përzgjidhet me tender ose caktohet me vendim për periudhë tre-vjeçare.

Deri tani asnjë tender nuk ka rezultuar i suksesshëm. Më 2022, pas dështimit të në prokurim, dy herë, me akt të veçantë Rregullatori i dha KEK-ut këtë obligim deri në fund të Korrikut 2025.

Skenar i njëjtë ishte edhe në periudhën tre-vjeçare paraprake 2018-2021, kur ZRRE-ja, me vendim, Furnizues të Mundësisë së Fundit kishte caktuar KESCO-n.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika