Tentativa e 19-të dështon – Kuvendi pa kryetar, Kosova në ngërç institucional

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish që të kalojë në votim të fshehtë kandidaturën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, deputetet Albulena Haxhiu. Kjo përbën tentativën e 19-të të njëpasnjëshme që përfundon pa sukses në përpjekjen për konstituimin e legjislativit të ri të vendit. 

19 herë “tym i zi”: Dështon prapë konstituimi i Kuvendit

Ndërkohë që vendi vazhdon të qëndrojë pa institucione funksionale që prej mbajtjes së zgjedhjeve më 9 shkurt, mbizotëron gjithnjë e më shumë bindja se mungesa e fleksibilitetit nga ana e shumicës parlamentare ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjatjen e kësaj krize. Edhe pse ekzistojnë alternativa të mundshme brenda të njëjtës parti politike, qëndrimi për të mosrishikuar kandidaturën ka zgjatur ngërçin dhe ka rritur presionin institucional. 

Për analisten politike Magbule Shkodra, kjo situatë nuk mund të trajtohet më si një krizë procedurale, por si një problem shumë më i thellë në nivel institucional dhe demokratik. 

“Sa më shumë të vazhdojë kjo situatë, aq më shumë cenohet autoriteti dhe serioziteti i Kuvendit… Kjo është krizë legjitimiteti, jo vetëm krizë procedurale”, ka thënë ajo. 

Ajo thekson se në kushte të tilla, përgjegjësia për zhbllokim bie mbi subjektin që ka dalë i pari në zgjedhje – në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje. Sipas Shkodrës, mungesa e marrëveshjes me partitë e tjera ose me komunitetet joserbe ka penguar jo vetëm zgjedhjen e kryeparlamentares, por edhe çdo hap tjetër drejt formimit të institucioneve. 

“Arsyeja pse jemi në këtë bllokadë është mungesa e vullnetit të VV-së për të bërë marrëveshje politike. Edhe vetë VV e di që nuk i ka numrat për të formuar qeverinë”, ka thënë ajo. 

Për më tepër, analistja nënvizon se nuk qëndron argumenti se nuk ka alternativa të tjera për kandidaturë, pasi VV ka mundësi të nominojë figura të tjera brenda grupit parlamentar. 

“VV ka edhe 47 deputetë të tjerë që mund t’i propozojë. Nëse do të kishte vetëm një kandidat, do të ishte ndryshe. Por ky ngulmim me një emër e bën Vetëvendosjen përgjegjëse për bllokimin”, është shprehur Shodra. 

Në këtë sfond, Shkodra përjashton partitë e tjera nga përgjegjësia kryesore, duke theksuar se një pjesë e opozitës ka ofruar mundësi të hapura për bashkëpunim. 

“PDK ka thënë që nuk e voton Haxhiun, por mund të votojë një kandidat tjetër. Edhe AAK ka ofruar dy alternativa. Vetëm LDK ka thënë se nuk voton asnjë kandidat të VV-së, gjë që e kam quajtur vendim të gabuar”, tha ajo. 

Duke qenë se asnjëra palë nuk po lëviz nga pozicionet e veta, analistja thekson nevojën që çështja të trajtohet edhe institucionalisht, përmes një interpretimi të ri nga Gjykata Kushtetuese. 

“Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta trajtojë këtë vetëm si situatë procedurale, por si ngërç të rëndë institucional… Kjo është mundësia për të përcaktuar qartë se sa herë mund të propozohet një kandidat nga partia e parë”, tha për Dukagjinin Shodra. 

Përtej aspektit ligjor dhe politik, Shkodra shpreh shqetësimin se insistimi i vazhdueshëm në të njëjtin emër mund të ketë pasoja për figurën e vetë zonjës Haxhiu në opinionin publik. 

“Ky nominim i përsëritur dhe dështimet njëra pas tjetrës do të ndikojnë në perceptimin ndaj saj. Ajo është vendosur në një pozitë të vështirë nga partia e vet”, tha ajo. 

Ajo përmend gjithashtu se një qasje e tillë strategjike mund të rezultojë me kosto politike në rast të zgjedhjeve të reja. 

“Nëse vazhdohet kështu, VV do të përballet me një faturë shumë të lartë kurdo që të mbahen zgjedhjet”, tha ajo. 

Me çdo tentativë të dështuar, përplasja politike në Kuvendin e Kosovës po kalon nga ngërç procedurash drejt një stagnimi të plotë institucional. Ndërkohë që qytetarët presin funksionalizimin e organeve përfaqësuese, skena politike vazhdon të sillet në rreth të mbyllur. Siç potencoi edhe analistja Shkodra, çdo ditë bllokade shton koston institucionale, politike dhe shoqërore që vendi do të duhet ta paguajë më vonë. 

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika