Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” të akademikut dhe ish-ambasadorit të Kosovës, Ahmet Shala, është deklaruar lidhur me proceset gjyqësore në Hagë dhe zhvillimet politike në Kosovë.
Rama tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar pasi nuk ka lejuar, sipas tij, që prokurorët e Hagës të hynin dhe të “dhunonin” zyrën e institucionit të Presidentit me pretendimin se do të gjenin prova për krime kundër njerëzimit.
“Dhe presidentja e Kosovës është kërcënuar, ju nuk e dini, pasi nuk është thënë asnjëherë. Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës. Kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, ka thënë Rama.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin tha se “është marrë peng”, duke iu referuar zhvillimeve që çuan në arrestimin dhe dërgimin e tij në Hagë.
Sipas Ramës, procesi ka marrë formë si pjesë e një plani afatgjatë që, sipas tij, ka nisur me raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, mbi pretendimet për trafikim organesh nga drejtues të UÇK-së.
“Sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë në anën tjetër të barrikadës, ndërkohë që prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme, pasi nuk ka në aktivitetin e katër udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe UÇK-së me terrorin, pastrimin etnik, varre me njerëz të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve dhe grave, apo me përdhunime, vrasje, mbytje njerëzish në lumë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre.
Faktikisht, ata vetë, me dorën e tyre, e votuan në Parlamentin e Kosovës një gjykatë që në letër është një gjykatë e Kosovës, jo për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën. Faktikisht, sot jemi në kushte kur ka marrë formë thuajse përfundimtare, pasi fjalën e fundit e ka gjykata, një plan shumë afatgjatë, i cili ka nisur me raportin famëkeq të Dick Marty-t për trafikim të organeve nga udhëheqja e UÇK-së. Ai plan është shtyrë përpara nga përfaqësuesit e Putinit në Këshillin e Evropës dhe është ngritur mbi një rezolutë, që për turpin e vet, Këshilli i Evropës nuk gjen kurajon ta rishikojë. Ai plan ka vazhduar dhe ka marrë jetë ditën që presidenti i Kosovës ishte nisur në SHBA.
Qysh nga ai moment, presidenti i Kosovës është marrë peng”, ka thënë kryeministri shqiptar.