Shembja e rrugës në lagjen “Prishtina e Re”, po dyshohet se u bë nga shkelja e rregullave të punës nga investitorit.
Kësisoj, kryetari Përparim Rama ka pezulluar nga puna dy inspektorë nën arsyetimin se nuk ndërhyn për tek kompania për të parandaluar shkeljen e rregullave në këtë vendpunishte.
Veç kësaj, i pari i kryeqendrës kosovare mori vendim për themelimin e një komisioni që do të inspektoj të gjitha vendpunimet.
Detaje më shumë për këtë vendim dha drejtori i Investimeve kapitale, Sokol Havolli.
“Kryetari Rama ka themeluar një komision për trajtimin emergjent të të gjitha vendpunishteve që mund të paraqesin rrezik, aktualisht janë identifikuar rreth 130 leje që do të mbikëqyren nga ky komision e gjatë ditës së djeshme janë mbajt takime nga kryetari Rama me disa prej drejtorive që jemi të involvuar”, ka thënë Havolli.
Havolli tha se brenda pesë ditësh do të hartohet një raport që do të identifikojë vendet që përbëjnë rrezikshmëri.
“pritet të hartohet një raport i cili do të tregoj nivelin e përmbushjes së kritikerev sipas lejeve të lëshuara nga komuna nëse ato kritere janë duke u përmbushur nga investitorët”, ka shtuar Havolli.
Kritik për themelimin e këtij komisioni janë asamblistë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Formimi i këtij komisioni është krejt kot sepse nuk mundet me kry punën e drejtorisë një komision i formuar ad-hoc nga kryetari sepse ne edhe sot e ngritëm si çështje në seancën komunale mirëpo u mbivotuam nga LDK, PDK, AAK e të tjerëve”, ka thënë shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla.
Sveçla tha që nuk ka asnjë leje ndërtimi që nuk kalon nga duart e kryetarit Rama.
“Nuk ka leje ndërtimore në komunën e Prishtinës nuk kalon nga kabinetit të zotëri Rama, kohë më parë ky e ka themelu edhe një kolegjium të pa ligjshëm sepse është paralel ndaj drejtorisë së urbanizimit e që asnjë leje nuk mund të jepet pa aprovimin e tyre”, ka shtuar Sveçla.
Brenda pesë ditësh ky komision do të dorëzoj raportin ku do të verifikohen shkeljet në të gjitha vendpunishtet në kryeqytet.