Tre persona, përfshirë dy anëtarë të ekuipazhit të një anijeje mallrash, u vranë gjatë sulmeve me dronë të Ukrainës gjatë natës në portin rus të Rostov-on-Don dhe në qytetin Bataysk, në rajonin jugor të Rostovit, njoftuan autoritetet lokale të enjten.
Sipas guvernatorit të rajonit, anija e goditur ishte cisterna me flamur rus “Valeriy Gorchakov”, siç konfirmoi edhe kompania britanike e menaxhimit të rrezikut detar Vanguard. Një zjarr që shpërtheu në bord u shua, bëri të ditur guvernatori Yuri Slyusar përmes kanalit të tij në Telegram.
Kreu i Rostov-on-Donit, Alexander Skryabin, tha se është shmangur një rrjedhje e produkteve të naftës nga anija, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ndërkohë, një person humbi jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën në qytetin Bataysk, ku dy shtëpi private u përfshinë nga flakët si pasojë e sulmit me dronë, njoftoi Slyusar.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për sulme të qëllimshme ndaj anijeve civile. Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se mund ta shkëpusë Ukrainën nga deti, pasi sulmet e Kievit këtë muaj dëmtuan tre cisterna të ashtuquajtura të “flotës hije”, të cilat po lëviznin drejt Rusisë për eksportin e naftës.
Sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve nga LSEG, cisterna “Valeriy Gorchakov” menaxhohet nga kompania Volgo-Balt Service.