Tre vëllezër humbin jetën pasi ranë në një pellg të ngrirë në Teksas

Tre vëllezër të mitur kanë humbur jetën në Bonham, në veri të Teksasit, pasi ranë përmes akullit në një pellg privat të hënën.

Nëna e tyre, Cheyenne Hangaman, tregoi se u përpoq t’i shpëtonte duke i nxjerrë nga uji dhe duke i vendosur mbi akull, por akulli vazhdonte të çahej duke ua bërë të pamundur daljen, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

“Ishin tre ata dhe vetëm unë… prandaj nuk munda t’i shpëtoja,” tha ajo.

Hangaman, nënë e gjashtë fëmijëve, mësoi për aksidentin kur vajza e saj vrapoi drejt saj duke bërtitur se vëllezërit kishin rënë në ujë.

Fëmijët po luanin pranë pellgut, rreth 30 metra larg shtëpisë ku familja po jetonte.

Sipas nënës, më i vogli ra i pari pasi tentoi të “patinonte” mbi shtresën e akullit. Dy vëllezërit më të mëdhenj u hodhën menjëherë pas tij për ta shpëtuar.

Gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar, Hangaman vetë nisi të mbytej dhe u shpëtua nga një fqinj.

“Luftova për jetën e fëmijëve të mi, por u detyrova t’i shihja duke u mbytur pa mundur t’i ndihmoja,” tha ajo.

Fqinji, i cili është trajner futbolli në shkollën ku djemtë ndiqnin mësimin, dëgjoi britmat dhe ndërhyri. Me ndihmën e një litari, ai arriti ta nxirrte nënën nga uji.

Autoritetet nuk publikuan emrat e fëmijëve, por familjarët i identifikuan ata si Howard Doss 6 vjeç, Kaleb Doss 8 vjeç dhe EJ Doss 9 vjeçar.

Ngjarja ndodhi në kohën kur një stuhi e fortë dimërore ka goditur pjesë të mëdha të SHBA-së, përfshirë Teksasin, duke shkaktuar mbi 20 viktima dhe duke lënë mijëra njerëz pa energji elektrike.

Të fundit nga rubrika