Trump anulon valën e dytë të sulmeve ndaj Venezuelës pas “bashkëpunimit”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka anuluar valën e dytë të planifikuar të sulmeve ndaj Venezuelës, pas asaj që ai e cilësoi si “bashkëpunim” nga ana e këtij shteti të Amerikës Latine.

Trump tha të premten se Venezuela ka nisur lirimin e një numri të madh të të burgosurve politikë, si shenjë e “kërkimit të paqes”, pas operacionit ushtarak amerikan të javës së kaluar për rrëmbimin e presidentit Nicolás Maduro.

“Kjo është një gjest shumë i rëndësishëm dhe i zgjuar. SHBA-ja dhe Venezuela po punojnë shumë mirë së bashku, veçanërisht sa i përket rindërtimit, në një formë shumë më të madhe, më të mirë dhe më moderne, të infrastrukturës së tyre të naftës dhe gazit,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, shkruan Aljazeera, transmeton Dukagjini.

“Për shkak të këtij bashkëpunimi, kam anuluar valën e dytë të sulmeve, e cila pritej më herët dhe që duket se nuk do të jetë e nevojshme. Megjithatë, të gjitha anijet do të qëndrojnë në pozicion për arsye sigurie,” shtoi ai.

Deklaratat e Trump vijnë vetëm disa orë pasi ai kishte lënë të kuptohej në një intervistë për emisionin Hannity në Fox News se liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, do të vizitonte Uashingtonin javën e ardhshme, ndonëse më herët ai kishte hedhur poshtë idenë e bashkëpunimit me të, duke thënë se “ajo nuk ka mbështetje dhe respekt brenda vendit”.

Megjithatë, të mërkurën, Trump i kishte thënë The New York Times se SHBA-ja po “shkonte shumë mirë” me qeverinë venezueliane, të udhëhequr aktualisht nga presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez.

Gjatë intervistës për Fox News, Trump tha gjithashtu se do të takohej të premten në Shtëpinë e Bardhë me drejtues të kompanive të mëdha të naftës dhe se këto kompani do të investonin të paktën 100 miliardë dollarë në Venezuelë — deklaratë që ai e përsëriti edhe në Truth Social.

“Të paktën 100 miliardë dollarë do të investohen nga kompanitë e MËDHA të naftës, me të cilat do të takohem sot në Shtëpinë e Bardhë,” shkroi Trump, përpara takimit ku pritej të bindte drejtuesit e industrisë të mbështesnin planet e tij për Venezuelën.

Administrata Trump ka deklaruar vazhdimisht se po administron Venezuelën, ndërsa sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka pohuar se Uashingtoni do të kontrollojë industrinë e naftës së këtij vendi “për një kohë të pacaktuar”.

Nga ana tjetër, Delcy Rodríguez, ish-zëvendëse e Madurós, ka theksuar se qeveria e saj mbetet në kontroll, ndërsa kompania shtetërore e naftës ka bërë të ditur vetëm se është në negociata me SHBA-në për shitjen e naftës.

Sipas NBC News, në takimin në Shtëpinë e Bardhë pritej të merrnin pjesë drejtuesit e Exxon Mobil, Chevron dhe ConocoPhillips.

“Është thjesht një takim për të diskutuar mundësitë e jashtëzakonshme që janë përpara këtyre kompanive të naftës,” tha zëdhënësja e Trump, Karoline Leavitt.

Chevron është aktualisht e vetmja kompani amerikane me licencë për të operuar në Venezuelë. Exxon Mobil dhe ConocoPhillips u larguan nga vendi në vitin 2007, pasi refuzuan kërkesën e ish-presidentit Hugo Chávez që t’i dorëzonin qeverisë shumicën e aksioneve në operacionet lokale.

E sanksionuar nga SHBA-ja që nga viti 2019, Venezuela zotëron rreth një të pestën e rezervave botërore të naftës dhe dikur ishte një furnizues kryesor i SHBA-së me naftë bruto.

Megjithatë, sipas OPEC-ut, në vitin 2024 ajo prodhoi vetëm rreth 1 për qind të prodhimit global të naftës, si pasojë e viteve të tëra të nëninvestimit, sanksioneve dhe embargove.

Trump i sheh rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës si një mundësi të artë në përpjekjet e tij për të ulur më tej çmimet e karburanteve në SHBA — një çështje e rëndësishme politike.

Por ai mund të përballet me vështirësi në bindjen e kompanive të mëdha amerikane të naftës për të investuar në Venezuelë, për shkak të pasigurisë mbi qeverisjen pas Madurós, çështjeve të sigurisë dhe kostove jashtëzakonisht të larta për rikthimin e kapaciteteve prodhuese.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika