Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë diskutuar për luftën në Lindjen e Mesme dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit gjatë një bisede telefonike të dielën.
Sipas zyrës së kryeministrit britanik në Downing Street, biseda mes dy liderëve zgjati rreth 15 minuta dhe u fokusua në rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit për t’i dhënë fund pengesave në transportin global detar.
Starmer gjithashtu shprehu ngushëllime për ushtarët amerikanë që kanë humbur jetën gjatë konfliktit, raporton BBC.
Në një bisedë të veçantë telefonike me kryeministrin kanadez Mark Carney, Starmer ra dakord që lufta në Lindjen e Mesme të diskutohet më tej në një takim të planifikuar për të hënën, bashkë me çështje të tjera dypalëshe.
Ndërkohë, këshilltari për politikë të jashtme i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Ophir Falk, hodhi poshtë sugjerimet se bisedimet për paqe mes Izraelit dhe Libanit mund të fillojnë së shpejti.
Ai tha për BBC se “bisedimet janë të mira, por veprimi është shumë më i rëndësishëm”, duke shtuar se Izraeli ka një marrëveshje nga nëntori i vitit 2024 sipas së cilës qeveria libaneze duhet të çarmatosë Hezbollah.
Sipas tij, ky proces duhet të ndodhë menjëherë.