Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se gjatë sulmeve të SHBA-së në Venezuelë ka pasur disa të plagosur, por asnjë viktimë amerikane.
Duke folur drejtpërdrejt për Fox News, Trump tha se operacioni ishte i suksesshëm dhe i planifikuar me kujdes, duke theksuar se ushtria amerikane nuk pësoi humbje në njerëz, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Trump zbuloi se kishte folur me presidentin venezuelian Nicolás Maduro rreth një javë para sulmeve, duke i kërkuar atij që të dorëzohej.
“Duhej të bënim diçka shumë më kirurgjikale, shumë më të fuqishme,” tha ai, duke shtuar se SHBA do të jetë fort e përfshirë në industrinë e naftës së Venezuelës në të ardhmen.
Sipas Trump, operacioni ishte planifikuar të ndodhte disa ditë më herët, por u shty për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike.
“Moti duhej të ishte perfekt. Papritur u hap dhe thamë: niseni,” u shpreh ai.
Trump tregoi se Maduro u kap në një objekt që e përshkroi si “më shumë një pyll sesa një shtëpi”, me struktura të forta çeliku rreth e rrotull.
Ai theksoi se disa ushtarë amerikanë u plagosën lehtë gjatë operacionit, por janë kthyer dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Trump konfirmoi gjithashtu se Maduro dhe bashkëshortja e tij janë nisur drejt Nju Jorkut, ku përballen me aktakuza penale.
Sipas tij, ata do të udhëtojnë drejt SHBA-së me helikopter dhe anije.
“Ata kanë vrarë shumë njerëz, përfshirë amerikanë dhe qytetarë të vendit të tyre,” deklaroi Trump.
I pyetur nëse SHBA do të mbështesë lideren e opozitës Maria Corina Machado për të udhëhequr Venezuelën, Trump tha se kjo çështje do të shqyrtohet, duke shtuar se procesi zgjedhor që solli Maduro në pushtet ishte “një turp”.
Në fund, Trump tha se kapja e Maduros dërgon një sinjal të qartë se SHBA nuk do të shtyhet më mënjanë, duke lidhur veprimet në Venezuelë me luftën kundër trafikut të drogës.
Ai pretendoi se SHBA humb qindra mijëra njerëz çdo vit për shkak të drogës dhe theksoi: “Nuk do ta lejojmë më këtë.”