Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dhënë Ukrainës më pak se një javë kohë për të pranuar planin e tij – i cili shihet gjerësisht si favorizues i Rusisë – për t’i dhënë fund luftës, pasi Presidenti Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij përballet me “një nga momentet më të vështira” në historinë e tij.
“Kam pasur shumë afate, por nëse gjërat po shkojnë mirë, ju keni tendencë t’i zgjasni afatet. Por e enjtja është ajo”, tha presidenti në një intervistë radiofonike me Fox News, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Duke iu drejtuar kombit nëpërmjet videos të premten, Zelensky tha se plani i SHBA-së për t’i dhënë fund luftës do të thoshte që vendi i tij të humbiste dinjitetin e tij ose një aleat kyç.
Plani me 28 pika i paraqitur nga Trump ushtron presion mbi Kievin për të lëshuar territor, për të kufizuar madhësinë e ushtrisë së tij dhe për të premtuar të mos bashkohet me NATO-n në këmbim të përfundimit të luftës, të gjitha kërkesa të hershme të Kremlinit.
Presidenti rus Vladimir Putin i tha një konference për shtyp të këshillit të sigurisë të premten vonë se kishte marrë planin e propozuar nga SHBA-ja për Ukrainën dhe se beson se ai “mund të formojë bazën e një zgjidhjeje përfundimtare paqeje”.
Presidenti rus tha se ishte gati të “tregonte fleksibilitetin” për të cilin u ra dakord gjatë samitit me Trump në Alaska këtë gusht, por shtoi se Rusia nuk e kishte diskutuar “në mënyrë thelbësore” marrëveshjen me SHBA-në.
“Presioni mbi Ukrainën tani është në nivelin më të lartë. Ukraina tani mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: ose humbjen e dinjitetit, ose rrezikun e humbjes së një partneri kyç, ose 28 pika të vështira, ose një dimër jashtëzakonisht të ashpër”, u shpreh Zelensky.
Zelensky shtoi se Ukraina do të punojë me qetësi dhe shpejt me SHBA-në dhe partnerët e saj drejt përfundimit të luftës, tha Zelensky.
Një numër udhëheqësish evropianë kanë folur në mbështetje të Ukrainës që kur u publikuan detajet e propozimit të Trump, duke u zotuar të mbështesin Kievin dhe duke këmbëngulur që të mos merren vendime për fatin e vendit pa kontributin e tij.
Megjithatë, BE duket se është lënë jashtë, pasi SHBA-të ende nuk kanë ndarë një dokument zyrtar, tha të premten presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në një postim në X se “nuk duhet të ketë asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, duke shtuar se udhëheqësit evropianë do të takohen të shtunën në margjinat e samitit të G20 në Johannesburg për të diskutuar propozimin.
Plani amerikan për paqe, Zelenksy e konsideron moment të vështirë – merr mbështetjen e evropianëve