Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer kërcënimet ndaj Iranit, duke paralajmëruar sulme ndaj objekteve energjetike nëse Teherani nuk hap Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump rikujtoi ultimatumin e tij të mëparshëm, duke theksuar se afati po i afrohet fundit.
“A e mbani mend kur i dhashë Iranit dhjetë ditë për të BËRË NJË MARRËVESHJE ose për ta HAPUR NGUSHTËSINË E HORMUZIT. Koha po mbaron – 48 orë para se gjithë ferri të mbretërojë mbi ta”, ka shkruar Trump.
Kërcënimet e presidentit amerikan vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon, ndërsa ai ka paralajmëruar vazhdimisht mundësinë e bombardimeve ndaj infrastrukturës energjetike iraniane. Megjithatë, paralelisht me retorikën e ashpër, Trump ka lënë të hapur edhe mundësinë për një marrëveshje diplomatike që do të mund të çonte në përfundimin e konfliktit.
Sipas deklaratave të tij, udhëheqësit e rinj iranianë, të cilët janë ngritur në pushtet pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit që vranë dhjetëra zyrtarë të lartë, mund të jenë më të gatshëm për kompromis. Megjithatë, deri tani nuk ka prova konkrete që mbështesin këtë pretendim.
Përpjekjet ndërkombëtare për ndërmjetësimin e një armëpushimi duket se kanë hasur vështirësi, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se negociatat kanë ngecur.