Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të bllokojë hapjen e urës që lidh Shtetet e Bashkuara me Kanadanë, derisa Uashingtoni të “kompensohet plotësisht për gjithçka që i ka dhënë Kanadasë”.
Bëhet fjalë për Gordie Howe International Bridge, e cila lidh provincën kanadeze Ontario me shtetin amerikan të Michiganit. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump deklaroi se ura nuk duhet të hapet derisa Kanadaja ta trajtojë SHBA-në me “drejtësi dhe respekt”.
Sipas faqes zyrtare të projektit, ura financohet nga Qeveria e Kanadasë, por do të jetë në pronësi publike të përbashkët të Kanadasë dhe shtetit të Michiganit. Megjithatë, Trump ka pretenduar se Kanadaja po përfiton padrejtësisht dhe se SHBA-ja duhet të zotërojë “të paktën gjysmën e këtij aseti”.
Nuk është e qartë se si Trump mund të bllokojë ligjërisht hapjen e urës, por ai ka paralajmëruar nisjen e menjëhershme të negociatave, pa dhënë detaje të tjera.
Ura mbi lumin Detroit pritet të hapet për qarkullim në fillim të vitit 2026, pas testeve dhe miratimeve formale. Ndërtimi ka nisur në vitin 2018, ndërsa projekti ka qenë burim tensionesh mes dy vendeve për më shumë se një dekadë. Kostoja e tij vlerësohet rreth 6.4 miliardë dollarë kanadezë, sipas CBC.
Trump ka përmendur edhe mosmarrëveshjet tregtare, duke kritikuar tarifat që Kanadaja u vendos produkteve amerikane të qumështit. Ai po ashtu ka sulmuar një marrëveshje tregtare mes Kanadasë dhe Kinës, duke deklaruar se kjo do ta “shkatërrojë Kanadanë”.
Në një deklaratë ironike, Trump tha se Kina do të “eliminojë përgjithmonë Kupën Stanley” dhe do të ndalojë hokejin në Kanada, raporton BBC.
Autoriteti i Urës Windsor–Detroit, Zyra e Kryeministrit të Ontarios dhe Zyra e Kryetarit të Bashkisë së Detroitit nuk kanë reaguar ende ndaj këtyre deklaratave.
