Trump në qendër të vëmendjes ndërsa NATO përballet me sfidën e riarmatosjes së Evropës

Policë turq të veshur me uniforma të zeza në çdo cep rruge, pankarta gjigante blu me mbishkrimin “Çelësi i Paqes” dhe një ceremoni madhështore mirëseardhjeje për Donald Trump.

Ky mund të jetë një samit i NATO-s, por është presidenti amerikan ai për të cilin është shtruar, në mënyrë simbolike, “tapeti i kuq”.

Trump nuk e ka fshehur asnjëherë skepticizmin e tij ndaj NATO-s. Ai ka deklaruar se ka ardhur në Ankara këtë vit vetëm sepse samiti po organizohet nga miku i tij, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili shkoi personalisht në aeroport për ta pritur, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Më pas, të dy liderët ecën krah për krah, ndërsa një orkestër ushtarake interpretoi himnin amerikan dhe avionët e Forcave Ajrore të Turqisë fluturuan mbi ta, duke lënë pas gjurmë tymi në ngjyrat kuqe, bardhë e blu.

Që në fillim ekzistonte frika se Trump mund të ishte faktori që do të prishte harmoninë e samitit. Dhe, ashtu ndodhi. Deklaratat e tij provokuese e ndërprenë imazhin e kujdesshëm të unitetit që NATO synonte të paraqiste në këtë takim të rëndësishëm.

Menjëherë pas mbërritjes, ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin nën kontroll Grenlandën, ishull që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s.

Megjithatë, Trump pranoi se deklaratat e tij të mëparshme për Grenlandën kishin dëmtuar marrëdhëniet me aleatët e NATO-s.

Kryeministrja daneze ka paralajmëruar se, nëse SHBA-ja do ta merrte Grenlandën me forcë, kjo do të nënkuptonte fundin e Aleancës.

Kritika për aleatët lidhur me Iranin

Një tjetër çështje që vazhdon të shkaktojë pakënaqësi për Trumpin është Irani.

Ai mbetet i zhgënjyer që aleatët e NATO-s nuk iu bashkuan operacionit ushtarak amerikan kundër Iranit në fillim të këtij viti, një konflikt i nisur pa konsultime me aleatët dhe që pati pasoja të mëdha për ekonominë globale.

Trump kritikoi edhe Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht faktit se kryeministri britanik Keir Starmer kishte lejuar përdorimin e bazave ajrore britanike për sulmet amerikane ndaj objektivave raketorë iranianë.

“Disa thanë se do të na ndihmonin pasi lufta të përfundonte. Unë u thashë se nuk më duhej një ndihmë e tillë. Në një farë mënyre po i testojsa njerëzit, doja të shihja nëse do të ishin pranë nesh, sepse prej kohësh kam thënë se ne i ndihmojmë ata, por nuk jam i sigurt nëse ata do të ishin aty për ne”, tha Trump.

Delegacioni britanik në Ankara ka theksuar bashkëpunimin e tij me partnerët evropianë në fushën e mbrojtjes.

Megjithatë, Keir Starmer ka mbërritur në samit me një plan investimesh në mbrojtje që është kritikuar se nuk përmbush nevojat financiare të përcaktuara në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes të publikuar vitin e kaluar.

NATO përqendrohet në riarmatosjen e Evropës

Përtej ceremonive dhe deklaratave politike, delegacionet e NATO-s po zhvillojnë diskutime konkrete për riarmatosjen e Evropës dhe për forcimin e bashkëpunimit mes industrive të mbrojtjes.

Janë njoftuar kontrata të rëndësishme për ndërtimin e një flote të re avionësh transportues nga kompania Airbus.

Gjithashtu, avionët e vjetër AWACS të NATO-s për paralajmërim të hershëm do të zëvendësohen me avionët suedezë GlobeEye.

Në samit po diskutohet edhe për projekte të përbashkëta në prodhimin e raketave.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i pranishëm në samit, theksoi se Ukraina e ka përjetuar drejtpërdrejt pasojën e mungesës së sistemeve të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore.

Ditët e fundit, raketat balistike ruse kanë goditur ndërtesa banimi në Kiev, duke vrarë dhjetëra civilë, ndërsa njësitë e mbrojtjes ajrore kanë raportuar mungesë kritike të raketave interceptuese.

“Evropa ka nevojë për sistemin e saj efektiv kundër raketave balistike dhe për raketat përkatëse”, deklaroi Zelensky.

“Ky proces tashmë ka nisur dhe u bëj thirrje të gjithë partnerëve tanë t’i kushtojnë rëndësinë që meriton. Nuk mund të presim deri në vitin 2030 apo më vonë. Evropa ka nevojë sa më shpejt për sisteme kundër raketave balistike që mund të prodhohen në masë dhe me kosto të përballueshme”, shtoi ai.

Frika nga një Rusi edhe më e armatosur

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po reduktojnë gradualisht angazhimin e tyre ushtarak në Evropë, vendet evropiane po përpiqen të ndërtojnë një sistem të besueshëm mbrojtjeje kundër arsenalit në rritje të raketave dhe dronëve rusë.

Të gjithë pjesëmarrësit në samit deklarojnë se dëshirojnë përfundimin e luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ekziston shqetësimi se, sapo lufta të përfundojë, Rusia mund të nisë një program të shpejtë riarmatosjeje dhe, brenda katër vjetësh, të jetë në gjendje të kërcënojë drejtpërdrejt territorin e vendeve anëtare të NATO-s.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika