Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se pati sot një bisedë telefonike “shumë të mirë” me Presidentin kinez Xi Jinping, gjatë së cilës ata diskutuan një sërë temash, duke përfshirë luftën në Ukrainë, tregtinë e fentanilit dhe një marrëveshje për fermerët.
“Sapo pata një bisedë shumë të mirë telefonike me Presidentin Xi të Kinës. Folëm për shumë tema, duke përfshirë Ukrainën/Rusinë, fentanilin, sojën dhe produkte të tjera bujqësore, etj. Arritëm një marrëveshje të mirë dhe shumë të rëndësishme për fermerët tanë të mëdhenj – dhe ajo vetëm do të përmirësohet. Marrëdhënia jonë me Kinën është jashtëzakonisht e fortë”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Siç deklaroi ai, kjo telefonatë ishte një vazhdim i takimit “jashtëzakonisht të suksesshëm” midis dy udhëheqësve në Korenë e Jugut tre javë më parë.
Që atëherë, shtoi Trump, është bërë përparim i konsiderueshëm nga të dyja palët në ruajtjen e marrëveshjeve aktuale dhe konkrete.
“Tani mund të përqendrohemi në pamjen e përgjithshme. Për këtë qëllim, Presidenti Xi më ftoi të vizitoja Pekinin në prill, ftesë të cilën e pranova, dhe ia ktheva se pas kësaj ai do të ishte mysafiri im në një vizitë shtetërore në SHBA. Ne ramë dakord se është e rëndësishme të komunikojmë shpesh, gjë që e pres me padurim”, tha Trump.