Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur një padi prej 5 miliardë dollarësh (rreth 3.7 miliardë paund) kundër BBC-së, duke e akuzuar transmetuesin publik britanik për shpifje dhe shkelje të ligjit të praktikave tregtare.
Sipas dokumenteve të paraqitura në një gjykatë në Florida, padia lidhet me një dokumentar të emisionit Panorama, ku BBC-ja ka redaktuar fjalimin e Trumpit të mbajtur më 6 janar 2021, pak para sulmit ndaj Kapitolit.
BBC-ja kishte kërkuar falje muajin e kaluar, duke pranuar se redaktimi kishte krijuar “përshtypjen e gabuar” se Trump kishte bërë thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë, por ka hedhur poshtë kërkesat për dëmshpërblim dhe ka theksuar se nuk ka bazë për një padi për shpifje.
Ekipi ligjor i Trumpit pretendon se BBC-ja ka “manipuluar qëllimisht, me keqdashje dhe në mënyrë mashtruese” fjalimin e tij. Në dokumentar, një klip e paraqet Trumpin sikur ka thënë në të njëjtën fjali: “Do të ecim drejt Kapitolit… dhe unë do të jem aty me ju. Dhe ne luftojmë. Luftojmë fort.”
Në realitet, këto deklarata janë thënë në dy momente të ndryshme, me rreth 50 minuta diferencë mes tyre. Në fillim të fjalimit, Trump u tha mbështetësve se do të “ecnin drejt Kapitolit për të përkrahur senatorët dhe kongresmenët”, ndërsa më vonë përdori shprehjen “luftojmë fort”.
Në një memo të brendshme të rrjedhur në nëntor, BBC-ja kritikoi mënyrën e redaktimit të fjalimit, çka çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe shefes së lajmeve Deborah Turness.
Avokatët e BBC-së kishin deklaruar më herët se redaktimi nuk ishte bërë me keqdashje dhe se Trump nuk ishte dëmtuar nga dokumentari, duke theksuar se ai u rizgjodh president pak kohë pas transmetimit të tij. Ata gjithashtu kanë thënë se dokumentari nuk është transmetuar në SHBA, pasi ishte i disponueshëm vetëm në BBC iPlayer dhe i kufizuar për shikuesit në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, në padi Trump pretendon se BBC-ja kishte marrëveshje licencimi me palë të treta për shpërndarjen e përmbajtjes jashtë Britanisë, si dhe se dokumentari mund të jetë parë në Florida përmes VPN-ve ose platformës BritBox.
BBC-ja dhe kompania e përmendur në padi nuk kanë reaguar ende ndaj këtyre pretendimeve.