Presidenti amerikan, Donald Trump, mbrëmë kërcënoi se do ta “shkatërrojë në masë të madhe” fushën më të madhe të gazit në botë, Fushën e Gazit Jugor Pars në Iran, nëse vendi vazhdon sulmet ndaj Katarit si kundërpërgjigje ndaj një sulmi izraelit mbi këtë fushë.
“Izraeli, i zemëruar për atë që ka ndodhur në Lindjen e Mesme, ka goditur me forcë një objekt të madh të njohur si Fusha e Gazit Jugor Pars në Iran,” shkroi Trumpi në rrjetin social Truth Social.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk kishin dijeni për këtë sulm specifik, duke theksuar se edhe Katari nuk ishte në dijeni, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Fatkeqësisht, Irani nuk ishte në dijeni për këtë, apo për faktet përkatëse lidhur me sulmin ndaj Jugor Pars, dhe në mënyrë të pajustifikueshme sulmoi një pjesë të impiantit të gazit të lëngshëm natyror të Katarit,” tha ai.
Trumpi deklaroi se Izraeli nuk do ta sulmojë sërish këtë fushë gazi, përveç nëse Irani godet një palë të pafajshme.
“Në atë rast, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ose pa ndihmën apo pëlqimin e Izraelit, do ta shkatërrojnë plotësisht Fushën e Gazit Jugor Pars me një forcë që Irani nuk e ka parë kurrë më parë”, tha Trump.
Ndërkohë, trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit akuzuan Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për shënjestrimin e objekteve të naftës dhe gazit të Iranit, përfshirë Fushën Jugor Pars, fushën më të madhe të gazit në botë.
Irani goditi Qytetin Industrial Ras Laffan, qendrën kryesore energjetike të Katarit, me raketa balistike disa orë pas sulmit fillestar, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Katarit.
Kompania shtetërore “Qatar Energy” bëri të ditur se zona pësoi dëme të mëdha si pasojë e sulmeve.