Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Irani është “duke biseduar seriozisht” me Shtetet e Bashkuara pas kërcënimeve të tij për veprime ushtarake dhe rritjes së prezencës së pajisjeve ushtarake amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.
Teherani “po bisedon me ne dhe do ta shohim nëse mund të bëjmë diçka. Përndryshe, do të shohim se çfarë ndodh. Kemi një flotë të madhe të nisur atje”, ka thënë Trump për Fox News më 31 janar.
“Ata po negociojnë”.
Më vonë, Trump u ka thënë gazetarëve se ata “po angazhohen me ne në bisedime serioze”.
Ende nuk është bërë e qartë se nën çfarë rrethanash janë duke u zhvilluar ato bisedime.
Trump ka thënë se administrata amerikane i ka informuar aleatët në rajon për mundësinë e sulmeve ushtarake, duke cituar shqetësimet për sigurinë.
“Nuk mund t’ua tregojmë planin. Nëse ua tregoj planin, do të ishte pothuajse aq keq sa t’ua tregoja juve mediave planin. Në fakt, do të ishte edhe më keq”.
Presidenti amerikan po shtyn përpara një qasje të ashpër kundër regjimit autokratik të Iranit, në kohën e shtypjes së protestave antiqeveritare në rrugët e Teheranit dhe qyteteve tjera iraniane.
Më 29 janar, ai ka thënë se Irani duhet t’i japë fund programit bërthamor dhe të ndalë “vrasjen e protestuesve”, duke pretenduar se këto kërkesa u janë përcjellë zyrtarëve iranianë.