Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka deklaruar se ka anuluar sulmet kundër Iranit, me kusht që një marrëveshje me këtë vend të arrihet “shpejt”.
Në një postim në platformën Truth Social, presidenti amerikan pretendoi se Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme i kishin kërkuar të “përmbahej” nga çdo sulm, pasi sipas tij ishin rënë dakord “parametrat” e një marrëveshjeje.
Ai tha se kjo marrëveshje do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit.
Komentet e tij erdhën pasi mediat amerikane raportuan se Uashingtoni mund të kishte planifikuar sulme të reja dhe intensive ndaj Iranit gjatë fundjavës.
Më herët të shtunën, Teherani kishte akuzuar SHBA-në për përshkallëzim të tensioneve, duke deklaruar se çdo shtet i rajonit që bashkëpunon me Uashingtonin do të “përfshihej nga flakët e luftës”.
Ndërkohë, qeveria amerikane u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Lindjen e Mesme të jenë vigjilentë dhe të gatshëm të largohen “nëse ndodh përshkallëzim” në rajon.
“Njerëzit amerikanë që ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme duhet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar dhe të jenë të përgatitur për anulime fluturimesh, mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të mundshme të udhëtimeve”, thuhej në alarmin e sigurisë të publikuar të shtunën.
Më herët, disa burime i kishin thënë CBS News, partnerit amerikan të BBC-së, se SHBA-ja dhe Izraeli po planifikonin një nga fushatat më të ashpra të bombardimeve deri më tani, të përqendruar në objektiva të infrastrukturës energjetike në Iran.
Sipas këtyre burimeve, plani ishte diskutuar gjatë mbledhjes së kabinetit të Trumpit të premten.
Trump shtoi më tej në postimin e tij se SHBA-ja ishte “plotësisht e përgatitur dhe gati për të vepruar kundër Republikës Islamike të Iranit, me nivele terrori ushtarak, force dhe fuqie që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Ai tha se anulimi i sulmit do të ishte “për të mirën e ardhshme të botës dhe njëkohësisht për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë”.
Irani ende nuk ka reaguar ndaj njoftimit të Trumpit.
