Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se administrata e tij do të shpërndajë çeqe me vlerë 1,776 dollarë për anëtarët e ushtrisë amerikane, në nder të vitit të themelimit të SHBA-së.
Kjo pagesë është quajtur “Dividenti i Luftëtarit” (Warrior Dividend), shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Gjatë një fjalimi televiziv drejtuar kombit, Trump deklaroi se rreth 1,45 milionë pjesëtarë të forcave të armatosura do të përfitojnë nga kjo pagesë njëherëshe para Krishtlindjeve.
“1,450,000 pjesëtarë të shërbimit ushtarak do të marrin një divident të veçantë, që ne e quajmë ‘dividenti i luftëtarit’. Në nder të themelimit të vendit tonë në vitin 1776, ne po i dërgojmë çdo ushtari 1,776 dollarë. Dhe çeqet janë tashmë rrugës,” tha Trump.
Presidenti theksoi se fondet janë siguruar falë të ardhurave nga tarifat doganore, megjithëse nuk dha detaje të drejtpërdrejta mbi mekanizmin e financimit.
“Ne kemi fituar shumë më tepër para sesa pritej falë tarifave, dhe ligji na ndihmoi në këtë drejtim. Askush nuk e meriton më shumë se ushtria jonë. Urime të gjithëve,” u shpreh ai.
Sipas një zyrtari të lartë të administratës, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka udhëzuar Pentagonin të shpërndajë 2.6 miliardë dollarë si një shtesë njëherëshe për ndihmën bazë të strehimit për të gjithë pjesëtarët e kualifikuar të ushtrisë me grada O-6 e më poshtë.
Nga kjo pagesë do të përfitojnë rreth 1.28 milionë anëtarë aktivë të ushtrisë dhe 174 mijë pjesëtarë të rezervës, bëri të ditur zyrtari për CNN.
Në kuadër të axhendës politike të Trump, e cila u miratua nga Kongresi gjatë verës, janë ndarë 2.9 miliardë dollarë për Departamentin e Mbrojtjes – të cilin Shtëpia e Bardhë e ka riemërtuar si Departamenti i Luftës – për të mbështetur ndihmën bazë të strehimit për personelin ushtarak.
“Kjo pagesë njëherëshe pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të Departamentit për përmirësimin e kushteve të strehimit dhe cilësisë së jetës për pjesëtarët e ushtrisë dhe familjet e tyre,” thuhet në deklaratën zyrtare.