Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj Richard Grenellit, ish-aleatit të tij të afërt, pas pretendimeve për pagesa në këmbim të ndikimit dhe qasjes te administrata amerikane.
Sipas mediumit amerikan “Axios”, në qendër të rastit është një mesazh i pretenduar i Grenellit, të cilin ai ia kishte dërguar biznesmenit turk Turhan Mildon në maj të vitit të kaluar.
Në atë kohë, Grenell drejtonte qendrën kulturore “Kennedy Center”. Sipas raportimit, ai i kishte kërkuar Mildonit të transferonte rreth 17 milionë dollarë te kompania “Texas Armament & Technology”, prej të cilave rreth 6 milionë dollarë do të përdoreshin për një donacion për “Kennedy Center”.
Në mesazhin e cituar nga “Axios”, Grenell pretendohet t’i ketë premtuar biznesmenit se, pas transferimit të parave, do ta organizonte donacionin për qendrën kulturore. Në këmbim, Mildoni do të ftohej në ngjarje VIP dhe do të kishte mundësi të krijonte lidhje me administratën amerikane, përfshirë edhe me presidentin Trump.
Grenell i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si të rreme.
Ndërkaq, Alina Habba, avokate dhe bashkëshortja e Mildonit, ka deklaruar se “Kennedy Center” nuk e ka marrë kurrë donacionin e pretenduar.
Sipas “Axios” dhe “The New York Times”, Habba e kishte takuar Trumpin në fillim të këtij muaji për t’i folur për Grenellin. Pas kësaj, presidenti amerikan thuhet se ka urdhëruar Shtëpinë e Bardhë të nisë menjëherë hetimet për rastin.
Richard Grenell ka shërbyer si emisar i posaçëm i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi gjatë periudhës 2019–2021.
