Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka reaguar përmes një deklarate zyrtare, duke dënuar “provokimet” që, sipas saj, mund të çojnë në një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak.
Ankara u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ndalin sulmet “menjëherë” dhe ka theksuar se është e gatshme të mbështesë çdo përpjekje për ndërmjetësim.
Ndërkohë, sot është regjistruar një përshkallëzim i madh i konfliktit mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Izraeli dhe SHBA-ja kanë ndërmarrë një seri sulmesh ushtarake ndaj objektivave të ushtrisë iraniane, duke përdorur kryesisht raketa dhe avionë luftarakë kundër bazave ushtarake dhe pikave strategjike në territorin iranian.
Sipas deklarimeve të tyre, qëllimi i operacionit ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit dhe parandalimi i kërcënimeve që, sipas tyre, lidhen me programet raketore dhe ushtarake iraniane.
Në Teheran dhe në disa qytete të tjera të Iranit janë raportuar shpërthime të fuqishme, si dhe dëme materiale në zona të banuara. Ka njoftime për viktima, përfshirë edhe civilë.
Pas këtyre sulmeve, Irani ka reaguar menjëherë duke nisur kundërgoditje me raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake ku janë të pranishme forcat amerikane dhe, në disa raste, edhe duke qëlluar drejt Izraelit. Këto zhvillime kanë shkaktuar shpërthime dhe alarme në disa pjesë të rajonit, veçanërisht në vendet ku stacionohen trupat amerikane.
Situata mbetet shumë e tensionuar dhe ka shtuar frikën për një përhapje më të gjerë të konfliktit në nivel rajonal, pasi goditjet dhe lëshimet e raketave po prekin edhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.