Ujërat e përmbytjeve rekord në shtetin e Uashingtonit kanë nisur të tërhiqen gradualisht pas disa ditësh gjatë të cilave lagje të tëra u përmbytën, u kryen dhjetëra operacione shpëtimi nga automjete dhe çati shtëpish, si dhe u urdhëruan evakuime masive.
“Kjo nuk është thjesht një krizë një apo dyditore,” deklaroi guvernatori i Uashingtonit, Bob Ferguson, gjatë një konference për media.
“Nivelet e ujit kanë qenë historike dhe do të mbeten shumë të larta për një periudhë të zgjatur.”
Ferguson konfirmoi gjithashtu se presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar kërkesën e shtetit të Uashingtonit për shpalljen e gjendjes emergjente, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.
Përmbytjet u shkaktuan nga një “lum atmosferik” jashtëzakonisht i fuqishëm, i cili solli mbi 30 centimetra reshje shiu në disa zona të Uashingtonit perëndimor, duke fryrë lumenjtë dhe ngopur tokën me ujë. Sipas autoriteteve, deri tani nuk raportohet për viktima në njerëz.
Edhe pse dëmet ende nuk janë llogaritur zyrtarisht, pamjet dhe videot e publikuara tregojnë lagje të tëra nën ujë në Uashingtonin perëndimor dhe qendror. Dhjetëra persona u shpëtuan nga uji, ndërsa rrëshqitjet e dheut dhe mbeturinat bllokuan autostrada. Rrymat e forta shkatërruan rrugë dhe ura.
Të mërkurën, autoritetet lëshuan urdhra evakuimi të menjëhershëm “largohuni tani” për dhjetëra mijëra banorë në zonën e përmbytjes së lumit Skagit, në veri të Seattle-it, përfshirë qytetin Burlington – një komunitet bujqësor me rreth 10 mijë banorë. Deri të premten në mëngjes, uji i ndotur kishte depërtuar nëpër kanale dhe shtëpi, duke sjellë paralajmërime të reja për evakuim.
Trupat e Gardës Kombëtare shkuan derë më derë herët të premten në Burlington për të paralajmëruar banorët që të largoheshin dhe për t’u ofruar transport drejt strehimoreve lokale. Më vonë gjatë paradites, urdhri i evakuimit u hoq për një pjesë të qytetit, pasi niveli i ujit filloi të binte. Megjithatë, autoritetet paralajmëruan se lumi mbetet në nivele të larta dhe se rreziku i përmbytjeve të menjëhershme vazhdon, për shkak të presionit mbi argjinaturat.
Lumi Skagit buron nga vargmali i ashpër Cascade dhe përshkon zona të gjera tokash bujqësore dhe fusha tulipanësh, përpara se të derdhet në Puget Sound. Komunitete si Burlington, të ndërtuara në deltë, janë veçanërisht të ekspozuara ndaj rritjes së nivelit të ujit.
Në qytetin Mount Vernon, më i madhi në luginë, lumi arriti kulmin gjatë natës në rreth 11 metra, duke thyer rekordin e mëparshëm me disa centimetra. Rreth 1,000 banorë të Burlington-it u evakuuan. Një mur mbrojtës kundër përmbytjeve, i përfunduar në vitin 2018, arriti të mbrojë zonën qendrore të qytetit.
Edhe pse reshjet më të dendura kanë përfunduar, pasojat mbeten serioze. Sipas parashikimeve, reshje të reja pritet të nisin sërish të dielën.