Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar se Ukraina dhe Siria kanë rënë dakord për rritje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe zhvillimit, gjatë një vizite të tij në Damask, ku u takua me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa.
Sipas Zelenskyt, palët diskutuan një gamë të gjerë temash, përfshirë sigurinë, mbrojtjen, energjinë dhe infrastrukturën, si dhe situatën në rajon pas zhvillimeve të fundit që lidhen me Iranin. Në bisedime mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.
“U pajtuam të punojmë së bashku për të ofruar më shumë siguri dhe mundësi zhvillimi për shoqëritë tona”, ka shkruar Zelensky në Telegram.
Në një postim tjetër, ai theksoi se Ukraina synon të ndajë përvojën e saj ushtarake, veçanërisht në mbrojtjen kundër dronëve dhe raketave, duke e ofruar si ekspertizë të fituar gjatë luftës me Rusinë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e cilësoi vizitën si “moment historik”, duke thënë se diskutimet përfshinë edhe sigurinë dhe tregtinë detare.
Ndërkohë, në Turqi një ditë më parë, Zelenskiy kishte diskutuar me presidentin Tayyip Erdogan për bashkëpunim në siguri dhe projekte energjetike.
Vizita në Siri vjen pas rikthimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kievit dhe Damaskut, ndërsa Ukraina po thellon partneritetet e saj në Lindjen e Mesme, përfshirë marrëveshje ushtarake me Arabinë Saudite dhe Katarin.
Siria, e cila strehon dy baza të rëndësishme ushtarake ruse, ka shprehur synimin për t’i shndërruar ato në qendra trajnimi për ushtrinë siriane.