Ukraina po përballet me ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, pasi sulmet e reja ajrore të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike kanë reduktuar kapacitetin e prodhimit në “zero”, ka bërë të ditur operatori shtetëror i transmetimit të energjisë, Ukrenergo.
Sipas njoftimit, energjia elektrike do të ndërpritet për 8 deri në 16 orë në shumicën e rajoneve të vendit gjatë së dielës.
Moskë ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës kritike ukrainase muajt e fundit. Nga e premtja në mbrëmje deri të shtunën, Rusia lëshoi qindra dronë mbi termocentrale dhe objekte energjetike në të gjithë Ukrainën, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima, sipas autoriteteve në Kiev.
Këto sulme kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ngrohje dhe ujë në disa qytete. Kompania shtetërore Centerenergo paralajmëroi se kapaciteti prodhues “ka rënë në zero”, raporton The Guradian, transmeton Dukagjini.
“Armiku goditi masivisht me raketa balistike, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u rrëzuar. Nuk mbahet mend një numër kaq i madh goditjesh të drejtpërdrejta ndaj objekteve energjetike që nga fillimi i pushtimit”, deklaroi zëvendësministrja e energjisë, Svitlana Grynchuk, për televizionin lokal United News.
Pavarësisht ndërhyrjeve të menjëhershme për riparime dhe devijime të burimeve të energjisë, autoritetet njoftuan se rajonet e Kievit, Dnipropetrovskit, Donetskut, Kharkivit, Poltavës, Çernigivit dhe Sumit do të vazhdojnë të përballen me ndërprerje të rregullta të rrymës.
Ndërkohë, ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha deklaroi se dronët rusë kanë goditur dy nënstacione bërthamore në pjesën perëndimore të vendit, që furnizojnë me energji centralet bërthamore të Khmelnytskyit dhe Rivnes, përkatësisht rreth 120 dhe 95 kilometra nga qyteti i Lutskut.
“Rusia po rrezikon qëllimisht sigurinë bërthamore të Evropës. Kërkojmë një mbledhje urgjente të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) për të reaguar ndaj këtyre rreziqeve të papranueshme”, shkroi ai në Telegram.
Sybiha u bëri thirrje gjithashtu Kinës dhe Indisë, si blerës të mëdhenj të naftës ruse, të ushtrojnë presion ndaj Moskës për t’i dhënë fund sulmeve.
Ekspertët paralajmërojnë se dëmtimi i rrjetit energjetik e vë Ukrainën në rrezik të mbetet pa ngrohje në prag të dimrit. Që nga fillimi i pushtimit pothuajse katër vjet më parë, Rusia ka shënjestruar vazhdimisht rrjetin elektrik dhe të ngrohjes, duke shkatërruar pjesën më të madhe të infrastrukturës civile.
Sipas kompanisë shtetërore Naftogaz, sulmet e fundit përbëjnë të nëntin sulm masiv ndaj infrastrukturës së gazit që nga fillimi i tetorit. Universiteti i Ekonomisë në Kiev vlerëson se këto sulme kanë mbyllur gjysmën e prodhimit kombëtar të gazit natyror.
Eksperti energjetik ukrainas Oleksandr Kharchenko paralajmëroi se nëse dy termocentralet kryesore të Kievit mbeten jashtë funksionit për më shumë se tre ditë në temperatura nën -10°C, kryeqyteti mund të përballet me një “katastrofë teknologjike”.
Në anën tjetër, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive dhe depove të naftës në territorin rus, me qëllim të goditjes së eksporteve energjetike të Moskës dhe krijimit të mungesës së karburanteve.
Ndërsa tensionet mbeten të larta, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të dielën në mëngjes se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 44 dronë ukrainas gjatë natës.