Ukraina planifikon ndërprerje të energjisë elektrike pas sulmeve ruse në termocentrale

Ukraina është dëmtuar rëndë nga më shumë se 300 sulme me dronë dhe raketa ruse gjatë 10 ditëve të fundit. Si rrjedhojë, Presidenti i Ukrainës ka prezantuar një plan për të kursyer energjinë elektrike deri në riparimin e dëmeve

Kryvyi Rih, Ukrainë

Ukraina ka prezantuar një plan emergjent të ndërprerjeve të energjisë elektrike për të ndihmuar në stabilizimin e furnizimit me energji të vendit, i cili është dëmtuar rëndë nga më shumë se 300 sulme me dronë dhe raketa ruse gjatë 10 ditëve të fundit.

Gazeta britanike “The Guardian” bën të ditur se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për konsumin e energjisë elektrike nga ora 7 e mëngjesit dhe të shmangin përdorimin e pajisjeve të panevojshme.

Presidenti njoftoi se tre objekte energjetike u shkatërruan nga Rusia të mërkurën me një sulm të mëtejshëm të raportuar në rajonin e qytetit jugor të Kryvyi Rih. Në komentet video në një samit të BE-së të enjten, Zelenskyy tha se Rusia shpresonte të provokonte një valë të re migracioni në vendet evropiane.

“Terrori rus kundër objekteve tona energjetike synon të krijojë sa më shumë probleme me energjinë elektrike dhe ngrohjen për Ukrainën këtë vjeshtë dhe dimër, në mënyrë që më shumë ukrainas të shkojnë në vendet evropiane”, tha ai gjersa theksoi se vendet aleate duhet të ofrojnë më shumë sisteme anti-ajrore dhe të vendosin sanksione shtesë ndaj Iranit, i cili prodhon disa nga dronët që përdor Moska.

Në fillim të kësaj jave, presidenti tha se 30 për qind e termocentraleve të Ukrainës ishin shkatërruar në tetë ditë, duke nxitur lutjet nga vendi për sistemet e mbrojtjes ajrore nga perëndimi.

Ka pasur më shumë se 300 goditje në objektet energjetike të Ukrainës që nga 10 tetori, kur filloi fushata ruse, tha Herman Halushchenko, ministri i energjisë së Ukrainës. Për të ndihmuar në përballimin, qeveria po kërkonte një reduktim prej 20 për qind të përdorimit të energjisë.

Disa goditje kanë shkaktuar dëme relativisht të vogla, të cilat inxhinierët kanë qenë në gjendje t’i riparojnë, por zyrtarë të brendshëm të qeverisë kanë pranuar se shkatërrimi i disa objekteve është i rëndësishëm dhe mund të marrë më shumë se një vit për t’u riparuar.

Një sulm ajror rus goditi një termocentral të madh në qytetin e Burshtyn, në Ukrainën perëndimore, të mërkurën.

“Ai shkaktoi dëme mjaft serioze”, tha në televizionin ukrainas, guvernatori i rajonit Ivano-Frankivsk, Svitlana Onyshchuk.

Kompania e transmetimit të energjisë elektrike të Ukrainës, “Ukrenergo”, paralajmëroi se ndërprerjet lokale deri në katër orë mund të ndodhin në të gjithë vendin nga ora 7 e mëngjesit deri në 22:00.

Publikut iu tha të karikonte telefonat dhe bateritë e tjera gjatë natës, ndërsa ndriçimi i rrugëve do të kufizohej në qytete. Të gjitha rajonet e vendit do të preken bëri të ditur Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës presidenciale.

Shija e redaktorit

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Të fundit nga rubrika