Ukraina ka njoftuar se ka sulmuar me dronë ajrorë një cisternë të ashtuquajtur të “flotës hije” ruse në Detin Mesdhe, rreth 2 mijë kilometra larg kufijve të saj, duke shënuar sulmin e parë të tillë në këtë zonë që nga nisja e pushtimit të plotë rus, gati katër vjet më parë.
Sulmi ndodhi të premten pranë bregdetit të Libisë dhe, sipas burimeve ukrainase, i ka shkaktuar dëme kritike anijes. Aksioni u zhvillua në të njëjtën ditë kur presidenti rus Vladimir Putin mbajti konferencën e tij vjetore për fundvit.
Ky veprim vjen në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit detar që lidhet me të ashtuquajturën “flotë hije” – një rrjet anijesh që përdoren nga Rusia, Irani dhe Venezuela për të shmangur sanksionet ndërkombëtare përmes praktikave mashtruese.
Kievi më herët ka goditur cisterna të tilla ruse në Detin e Zi, duke synuar të ndërpresë një burim të rëndësishëm të ardhurash që, sipas Ukrainës, përdoret për financimin e luftës së paligjshme të Moskës.
Vlerësohet se kjo flotë përbëhet nga mbi 1.000 anije, të cilat ndryshojnë shpesh flamurin dhe kanë pronësi të paqartë. Kjo ka mundësuar që Rusia të vazhdojë eksportin e naftës bruto dhe të sigurojë të ardhura jetike pavarësisht sanksioneve perëndimore. Ekspertë dhe disa liderë evropianë besojnë se disa prej këtyre anijeve janë përdorur edhe për operacione të luftës hibride në Evropë.
Një burim nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) e ka cilësuar sulmin e së premtes si një “operacion të ri dhe të paprecedentë”, pa dhënë detaje se si droni u dislokua në Mesdhe, nga ku u lëshua apo mbi cilat shtete mund të ketë fluturuar.
Sipas burimit, cisterna ishte bosh në momentin e sulmit dhe nuk ka pasur rrezik mjedisor. Anija, e identifikuar si Qendil, thuhet se ka pësuar dëme të rënda dhe nuk mund të përdoret më për qëllimin e saj.
Sipas Ukrainës, cisterna përdorej për të anashkaluar sanksionet perëndimore dhe për të financuar luftën e Rusisë, çka e bënte atë “një objektiv plotësisht legjitim”./TheGuardian