Ish-diplomati Sylë Ukshini vlerëson se kriza për zgjedhjen e presidentit nuk është kushtetuese, por politike, duke theksuar mungesën e kompromisit mes partive
Komentet e Ukshinit vijnë në ditën kur kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku u takuan dhe u zotuan të vazhdojnë takimet për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një marrëveshje konkrete për postin e presidentit.
Ukshini ka nënvizuar se për një demokraci të re si Kosova, është thelbësore që presidenti të jetë figurë konsensuale. Sipas tij, kjo nuk nënkupton që presidenti duhet të jetë plotësisht apolitik, por që ai ose ajo duhet të jetë rezultat i një marrëveshjeje të gjerë politike.
“Problemi po shihet që është një bartje nga rrafshi politik në rrafshin juridik kushtetues. Dhe këtu nuk është problemi te Kushtetuta. Problemi është që klasa politike, elita politike duhet të ketë vullnet për kompromis sepse mënyra se si është dizajnuar Kushtetuta, mënyra se si është sistemi politik kërkon një konsensus. Dhe mbi të gjitha është e shëndetshme për një demokraci të re, siç është Kosova, që presidenti të jetë konsensual. Nuk do të thotë kjo që të jetë apolitik, por mund të jetë i një partie, mund të jete kompromis. Kompromiset janë të llojllojshme…”, ka thënë Ukshini në FIVE të TV Dukagjinit.
Ndërkohë, përpjekjet politike po vazhdojnë. Gjatë ditës, Kurti ka shprehur optimizëm se përmes dialogut mund të arrihet një marrëveshje brenda afateve kushtetuese, ndërsa Abdixhiku ka konfirmuar se palët po kërkojnë një zgjidhje të përbashkët për të shmangur zgjedhjet.
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së Bedri Hamza ka kërkuar nga Kurti që iniciativa për presidentin të formalizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të trajtohet seriozisht brenda strukturave partiake.
Kjo situatë vjen pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton afatin përfundimtar për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk arrihet marrëveshje brenda afatit, vendi do të përballet me zgjedhje të reja.