Ushtria amerikane godet sërish objektiva të ISIS-it në Siri

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Centcom), ka njoftuar se forcat ushtarake amerikane dhe aleatët e tyre kanë kryer sulme ajrore në shkallë të gjerë ndaj objektivave të grupit terrorist ISIS në Siri.

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi sulmet të shtunën, si pjesë e Operacionit “Hawkeye Strike”, në hakmarrje për sulmin vdekjeprurës të ISIS-it ndaj forcave amerikane në Siri më 13 dhjetor, shkroi Centcom në platformën X, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Sipas Centcom, sulmet u kryen për të luftuar terrorizmin dhe për të mbrojtur forcat amerikane dhe ato partnere në rajon.

“Mesazhi ynë mbetet i qartë: nëse dëmtoni ushtarët tanë, do t’ju gjejmë dhe do t’ju vrasim kudo në botë, pa marrë parasysh sa përpiqeni t’i shmangeni drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Centcom.

Forcat amerikane dhe aleate përdorën më shumë se 90 municione precize ndaj mbi 35 objektivave, në një operacion ku morën pjesë më shumë se 20 avionë luftarakë, ka deklaruar një zyrtar për CBS News, partneri amerikan i BBC-së.

Sipas të njëjtit burim, në sulme morën pjesë avionë F-15E, A-10, AC-130J, dronë MQ-9, si dhe F-16 jordanezë.

Vendndodhja e saktë e sulmeve dhe numri i viktimave nuk janë bërë ende të ditura.

“Nuk do të harrojmë kurrë dhe nuk do të ndalemi kurrë”, shkroi në X Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke iu referuar aksionit ushtarak.

Administrata Trump e njoftoi për herë të parë Operacionin “Hawkeye Strike” në dhjetor, pasi një sulm i ISIS-it në Palmyra, në qendër të Sirisë, vrau dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil amerikan.

“Ky nuk është fillimi i një lufte – është një shpallje hakmarrjeje”, deklaroi Hegseth gjatë njoftimit të operacionit në dhjetor.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Presidentit Trump, nuk do të hezitojnë dhe nuk do të ndalen kurrë për të mbrojtur njerëzit e tyre.”

Para sulmeve të fundit të së shtunës, forcat amerikane kishin vrarë ose kapur gati 25 anëtarë të ISIS-it në 11 misione të zhvilluara nga 20 deri më 29 dhjetor, si pjesë e të njëjtit operacion.

Në misionin e parë të operacionit, më 19 dhjetor, forcat amerikane dhe jordaneze kryen një “sulm masiv” kundër ISIS-it, duke përdorur avionë luftarakë, helikopterë sulmues dhe artileri për të goditur më shumë se 70 objektiva në disa zona të Sirisë qendrore.

Centcom tha se në atë operacion u përdorën mbi 100 municione precize, duke synuar infrastrukturën dhe depot e armëve të ISIS-it.

Siria ndodhet në një gjendje të brishtë që nga rrëzimi i regjimit të Presidentit Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024, çka i dha fund një lufte civile që zgjati 13 vjet.

Ahmed al-Sharaa, i njohur edhe me nofkën Abu Mohammed al-Jolani, po shërben si president i vendit që nga momenti kur grupi i tij rebel rrëzoi Assadin dhe mori kontrollin e territorit.

Edhe pse ISIS është dobësuar ndjeshëm në Siri, grupi vazhdon të mbetet aktiv, duke kryer kryesisht sulme kundër forcave të udhëhequra nga kurdët në verilindje të vendit gjatë vitit 2025.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika