Në orët e para të mëngjesit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka vdekur burri që mbrëmë plagosi të dashurën e më pas qëlloi edhe vetën.
Lajmin për Dukagjinin e ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Veseli bëri të ditur se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion ndërkaq e plagosura po vijon trajtimin mjekësor në QKUK.
“Më 10.04.2026, rreth orës 22:00, është raportuar rasti ku kanë mbetur të plagosur dy persona: L. U. (24-vjeçare), femër, kosovare, dhe V. K. (32-vjeçar), mashkull, kosovar. Viktima e rastit, L. U., pasi ka pranuar ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku ndodhet ende nën përkujdesjen e mjekëve”.
“Ndërsa personi V. K., i cili në këtë rast ishte në cilësinë e të dyshuarit dhe po trajtohej në QKUK në Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të marra, më 11.04.2026, rreth orës 04:05, sipas informatës së pranuar nga QKUK në Prishtinë, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion. Rasti fillimisht është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë”, ndërsa pas rrethanave të reja, mbetet në kompetencë të prokurorit për cilësimin e mëtejshëm ligjor”, tha Veseli.
Plumba ndaj të dashurës dhe vetes – tentimvrasje tronditëse në Ferizaj