Ka vdekur një fëmijë që gjatë ditës së djeshme ishte raportuar i zhdukur në Gadime të Lipjanit e që më pas ishte gjetur në lumin e Gadimes.
I mituri ishte raportuar i zhdukur pasi nuk ishte kthyer nga shkolla gjatë ditës së sotme, 27 janar teksa në orët e mbrëmjes të së martës ai ishte gjetur dhe ishte dërguar në QKUK pa shenja jete, njofton Dukagjini.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, i ka shprehur ngushëllime familjes Zejnullahu për ndarjen nga jeta të të riut Zejn Zejnullahu, nxënës i shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Gadime.
Ahmeti, në telegram ngushëllimi, shkruan se kjo ngjarje e rëndë ka tronditur të gjithë qytetarët dhe se humbja e një jete të re është një dhimbje e madhe për familjen, shkollën dhe për gjithë komunën.
“Lusim Zotin e Madhërishëm që raste të tilla të mos përsëriten më dhe t’i japë forcë familjes për ta përballuar këtë humbje të rëndë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Zejnullahu, të afërmve, shokëve, mësimdhënësve dhe gjithë qytetarëve të Gadimes. Zoti e mëshiroftë!”, thuhet tutje në telegram ngushëllimin e Ahmetit.