Vëllai i Rexhep Selimit, Ramadan Selimi, ka reaguar publikisht ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen protestat dhe veprimet simbolike kundër Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një postim në Facebook, Selimi ka shprehur shqetësimin për atë që e quan “diferencim të çlirimtarëve”, duke iu referuar ngritjes së një flamuri gjigant në Drenicë, i cili simbolikisht u kushtohet vetëm Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ndërkohë që, sipas tij, po anashkalohen figura të tjera që po përballen me të njëjtën aktakuzë në Hagë.
“A është i drejtë ky diferencim? A është e moralshme dhe politike që disa oponentë, madje edhe brenda spektrit politik që i ka nxjerrë këta liderë, të ndajnë çlirimtarët në “më të merituar” dhe “më pak të merituar”, kur të gjithë po përballen me një aktakuzë të njëjtë – të përpiluar nga Serbia dhe të ngritur nga Dhomat e Specializuara në Hagë?”, ka shkruar Selimi.
Ai ka theksuar se Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli përbëjnë një emër të vetëm në histori – UÇK-në – dhe se kontributi i secilit prej tyre për çlirimin e Kosovës është i pandashëm.
Sipas Selimit, çdo përpjekje për t’i veçuar ose hierarkizuar ish-krerët e UÇK-së përbën padrejtësi historike dhe dëmton kauzën që ata përfaqësojnë sot në Hagë.
Ai ka ngritur edhe çështjen e përfaqësimit simbolik dhe mbështetjes publike, duke pyetur nëse mjafton që drejtësia për “katërshen” të përmendet vetëm në debate televizive dhe deklarata formale.
“Nëse vërtet besojmë se gjykimi në Hagë është padrejtësi ndaj luftës çlirimtare, atëherë mbështetja duhet të jetë e barabartë, e sinqertë dhe pa dallime. Çlirimtarët nuk maten me flamuj selektivë, por me unitet dhe qëndrim të përbashkët politik e shoqëror”, ka shkruar ai.
Selimi ka theksuar se historia nuk i ndan ish-krerët e UÇK-së dhe se, sipas tij, as shoqëria nuk duhet ta bëjnë një gjë të tillë.