Vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mërkurën e 26 tetorit, është vendosur që të ndahen mbi 4 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale dhe po ashtu janë ndarë 92 mijë euro për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt të martën në Prishtinë

Mbledhja 102-të e Qeverisë së Kosovës





Të mërkurën e 26 tetorit, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 102-të me radhë, në të cilën janë miratuar tri projektligje.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ndër këto projektligje është projektligji për Ekspertët Gjyqësorë i cili përcakton kushtet dhe procedurat e licencimit të ekspertëve.

Po ashtu, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, i cili ka për qëllim harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe ta bëjë edhe më të zbatueshëm Ligjin për mbrojtje të konsumatorit.

Projektligji për Zhvillim Rajonal të Balancuar i cili është në përputhje me legjislacionin evropian dhe përcakton parimet themelore të menaxhimit të zhvillimit rajonal.

Projektligji përcakton edhe orientimet, përgjegjësitë e institucioneve, institucionet financiare dhe rregullat për zhvillimin e balancuar rajonal në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Ndër të tjera, është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e 110-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Iu vazhdua mandati për pesë vjet, Martin Halilaj, hetues i Aksidenteve Hekurudhore në kuadër të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike nën mbikëqyrjen e Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike.

U bë ndryshimi dhe plotësim i Vendimit të Qeverisë Nr.02/85.

U ndanë mjete buxhetore në shumën prej katër milionë e dyqind mijë e njëqind eurosh për blerjen e barnave nga lista esenciale sipas kërkesës së Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

U bë ndryshim dhe plotësimi i Vendimit Nr. 31/99 të datës 30 shtator 2022 për Masat shtesë të Pakos për Ringjalljen Ekonomike për Përballje me Inflacion.

U ndanë mjete buxhetore në shumën prej nëntëdhjetë e dy mijë eurosh për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”, i cili u zhvillua gjatë kësaj jave në Prishtinë.

U miratua Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar në Republikën e Kosovës për vitet 2022-2028, e cila synon rregullimin dhe financimin e menaxhimit të mekanizmave për kontroll të qenve me dhe pa pronar në Kosovë.

Strategjia përcakton edhe koordinimin e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal përgjegjëse për zbatim të saj.

Gjithashtu, u miratua edhe Plani i Veprimit 2022-2023 për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2019-2023.

Plani liston objektivat, aktivitetet dhe financimin e tyre gjatë zbatimit në periudhën e caktuar kohore.

U aprovua kërkesa e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për transfer të mjeteve në shumën prej treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e njëzet e pesë eurosh për transfere deri në 25 për qind të ndarjes së ndikuar negativisht, në kuadër të kategorisë së shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”.

U miratuan tri koncept-dokumente, Koncept-dokumenti për Fushën e Menaxhimit të Financave Publike që do të mundësojë përmirësimin e menaxhimit të Financave Publike dhe i cili rekomandon hartimin e një Ligji të ri për menaxhimin e financave publike.

Koncept-dokumenti për Shoqëritë Tregtare që do të sigurojë nivel më të lartë të ofrimit të shërbimeve ndaj shoqërive tregtare dhe që rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare.

Koncept-dokumenti për Inspektimin në fushën e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit që synon vendosjen e kritereve për mbikëqyrjen e inspektimeve mjedisore, proces i cili është prioritet i Qeverisë përcaktuar edhe me Planin Strategjik Operacional 2021-2025.

Kabineti qeveritar u informua nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal lidhur me Koncept-dokumentin për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.

U miratua vendimi i shqyrtimit të mëtejmë për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Livadicë të Komunës së Podujevës, të cilat preken nga ndërtimi i Zonës Ekonomike Industriale në këtë komunë.

Dhe si pikë e fundit e rendit të ditës, u miratua nisma për negocim të Marrëveshjes më Republikën e Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në hartimin e Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.





Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika