Vendimi i Kushtetueses, Krasniqi: Mesazh se nëse nuk je pjesë e Listës Serbe, e ke të pamundur të zgjidhesh

Pas reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe ministri në detyrë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në emër të grupit parlamentar multietnik, ka kritikuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e deputetit Nenad Rashiq.

Përmes një reagimi në Facebook, Krasniqi ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me aktgjykimin, duke theksuar se vendimi cenon parimet kushtetuese të përfaqësimit demokratik dhe pluralizmit politik.

Ai ka bërë të ditur se grupi parlamentar multietnik, i përbërë nga tetë deputetë të Legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës (KDTP, VAKAT, NDS, IRDK, PSA, SPO dhe LPRK), vlerëson se me zgjedhjen e Nenad Rashiqit në seancën e 10 tetorit 2025 janë përmbushur plotësisht kushtet e nenit 67, paragrafi 4 të Kushtetutës.

Sipas reagimit, kandidimi i Rashiqit ka ardhur nga radhët e komunitetit serb dhe zgjedhja e tij është bërë me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, duke reflektuar vullnetin politik të 71 deputetëve.

Megjithatë, ky vullnet, sipas Krasniqit, është anashkaluar nga Gjykata Kushtetuese.

Në reagim theksohet se Gjykata nuk ka marrë parasysh rrezikun e diskriminimit të drejtpërdrejtë ndaj një deputeti të komunitetit serb, nëse atij i mohohet e drejta për të kandiduar vetëm për shkak se nuk i përket Listës Serbe.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë në konsideratë një fakt thelbësor: diskriminimin e drejtpërdrejtë që do t’i shkaktohej një deputeti të komunitetit serb nëse do t’i mohohej e drejta për të kandiduar vetëm pse nuk i përket një subjekti të caktuar politik. Mohimi i kësaj të drejte do të krijonte një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit përkatësia partiake do të mbizotëronte mbi përkatësinë komunitare, një standard që nuk buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Krasniqi vlerëson se aktgjykimi lë përshtypjen se përfaqësimi politik i Nenad Rashiqit është injoruar dhe se mesazhi i nënkuptuar është se deputetët që nuk janë pjesë e Listës Serbe rrezikojnë të mos trajtohen si përfaqësues legjitimë të komunitetit serb.

“Por kështu nuk shkruan në Kushtetutë”, ka shkruar ai, duke shtuar se Kushtetuta garanton përfaqësim të komuniteteve dhe jo monopol politik mbi to, si dhe nuk e kushtëzon legjitimitetin me përkatësinë partiake.

Grupi parlamentar multietnik bën thirrje që aktgjykimi të rishqyrtohet me kujdes.

LVV akuzon Kushtetuesen për mungesë konsistence dhe tejkalim të kompetencave

Të fundit nga rubrika