Deri më 30-shtator, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme duke e ndaluar çdo veprim të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Por jo vetëm kaq. Nga 5 deri më 30 shtator, autoriteti më i lartë për interpretimin e Kushtetutës e ka ndaluar edhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.
Masa e përkohshme është njëra ndër kërkesat që Lista Serbe i ka adresuar në kërkesën e saj.
Por me faktin se Kushtetuesja thotë se masa e përkohshme caktohet “ex officio”, i bie që këtë vendim ka pasur në mend ta marrë edhe vet gjykata, dhe nuk është vetëm vendim sipas kërkesës së Listës Serbe.
Gjykata Kushtetuese konsideron se pa u vlerësuar pretendimet e Listës Serbe, është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt vazhdimit të punës së Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës.
“Vlerësimi përkitazi me kërkesën për masën e përkohshme
“…Në kontekstin e lartcekur, Gjykata vlerëson se ndalimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, dhe çdo procedurë e mëtejme për formimin e Qeverisë, mund të “evito[jë] rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën. Për më tepër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Kushtetuesja rithekson se miratimi i masës së përkohshme deri në fund të muajit, nuk paragjykon nëse do të trajtohet ose refuzohet pjesa tjetër e kërkesës së Listës Serbe.
“…54. Për pasojë, Gjykata, në dritën e sqarimeve të lartcekura, vlerëson se kërkesa e parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme duhet të miratohet, sepse i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik…”.
Lista Serbe, partia që nuk e njeh shtetin e Kosovës, i ka hyrë rend e gjatë Kushtetues së Kosovës dhe rregullores së Kuvendit.
“6. Të urdhërojë Kryetarin e Kuvendit të zbatojë kthimin në gjendjen e mëparshme, me të cilin do të anulohen veprimet kundërkushtetuese të Kryetarit të Kuvendit të përshkruara më sipër. 7. Të urdhërojë që në pajtim me sigurinë juridike të përsëritet procedura e votimit për nënkryetarët nga radha e komuniteteve jo-shumicë në një votim të unifikuar. […].”
Shkelje të tjera, të cilat Lista Serbe, pretendon se i ka bërë Kryetari i Kuvendit Dimal Basha, është edhe ftesa për propozim të kandidatit për nënkryetar, që sipas kësaj partie, është dashur t’i bëhet së pari serbëve e pastaj komuniteteve tjera.