Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka marrë vendim për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës, duke vendosur kufij të qartë për marzhat tregtare me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun vendor.
Sipas njoftimit, ministrja Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të konkurrencës së drejtë dhe të ndershme në tregun vendor dhe i njëjti ka hyrë në fuqi këtë të shtunë, njofton Dukagjini.
Sipas të dhënave aktuale: Nafta ka hyrë në doganë me çmim prej 1.77 euro për litër, ndërsa mund të shitet për 1.91 euro për litër. Benzina 1.30 ka hyrë në doganë 1.44 arrin shitjen në tregun vendor.
Me këtë vendim është përcaktuar marzha tregtare maksimale e lejuar si në vijim: shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër dhe shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër
“Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes”, thuhet në njoftim.
Vendimi parasheh gjithashtu rritje të mbikëqyrjes në terren nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administrata Tatimore e Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës.
MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë marzhat e përcaktuara, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të ndëshkohet, përfshirë edhe në mënyrë retroaktive.
Tutje bëhet e ditur se inspektorët tashmë janë në terren dhe do të vazhdojnë monitorimin për zbatimin e plotë të këtij vendimi.