Pas vërshimeve në janar të vitit 2023, është hera e dytë që detyrohet të bëjë roje natën e ditën para oborrit dhe rrugës kryesore të lagjes.
Shtëpinë e ka buzë lumit Klina, në lagjen 5, në Skenderaj, dhe vërshimet e ujit pas reshjeve të vazhdueshme të shiut një ditë më parë, Xhavit Dibranit, ia kanë rrezikuar seriozisht shtëpinë, por edhe familjen.
“Pjesën e familjes e kemi zhvendos mbrëmë vonë e kemi çu nëpër familje jashtë qytetit, dëmet janë nuk mundemi me thënë se ka dëme shumë të mëdha se problemi është që as nuk po kemi ujë as asgjë, një herë jemi qishtu qysh po shihet, po bëj apel me marrë masa në nivel lokal e qendror le të marrin masa me na ndihmu diçka se jemi shumë keq”, ka theksuar Xhavit Dibrani – Banor i lagjes “5”, Skenderaj.
Dibrani thotë se pjesa tjetër e familjes do të vazhdojë të strehohet tek të afërmit, ndërsa i vetëm do të qëndrojë ditën e natën duke e vëzhguar shtëpinë dhe duke e mbrojtur nga uji, me aq sa ka mundësi.
Fshati Kuqicë, Klinë e Epërme, e mesme dhe e poshtme, hyrja dhe qendra e qytetit, si dhe pjesa më e madhe e territorit në drejtim të fshatit Llaushë, janë zonat më të dëmtuara nga uji.
“Në Fshatin Llaushë aktualisht i kemi tri ura jashtë funksionit ka bërë dëme edhe në fshatin Tushilë, në Kopiliq dhe deri në Aqarevë, pra në të gjithë rrjedhën e shtratit të lumit Klina në gjithë territorin e komunës së Skenderajt ka dëme të konsiderueshme”, ka deklaruar Amir Lushtaku – Shef i Kabinetit të kryetarit të Skenderajt.
Fshatrat që kanë mbetur të bllokuara për shkak të dëmtimit të urave, kanë edhe rrugë alternative, ndërsa sa i përket dëmeve në Skenderaj do të ketë ekipe të vlerësimit, të cilat të dhënat do t’i përcjellin për në nivelin qendror.
Edhe në Drenas është gjendje më e mirë, të gjitha rrugët janë të kalueshme. Pjesa që vazhdon të mbetet e bllokuar nga uji është ajo në hyrje të qytetit, e cila ndodhet nën nivelin e shtratit të lumit dhe për pasojë ende mbetet e mbuluar nga uji.
Edhe në disa prej fshatrave ku dje kishte rrezik për shembje të rrugëve dhe shtëpive, të enjten është stabilizuar gjendja.
“Gjendja më e keqe ose më e rënduar për momentin është tek trafo stacioni kryesor, ndërsa edhe tek bizneset duke e përfshirë edhe mullirin vëllezërit Mustafa në Tërstenik ku ka depërtu uji në podrumin e tij edhe Sillosi sigurisht është dëmtu”, ka theksuar Nexhmedin Gruda – Drejtor i Emergjencave.
Dëmet në infrastrukturën rrugore janë të vërejtshme për gjatë fshatit Dobroshec në Drenas.
Disa ura tashmë janë të pakalueshme e disa janë të dëmtuara nga sasia e madhe e ujit, e cila është grumbulluar në gjithë gjerësinë e fshatit.